Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar fotografinë e kutisë së kuqe të mbushur me euro, e cila është bërë pjesë e dosjes hetimore të SPAK për vilën që dyshohet se i përket ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku në Dhërmi.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Berisha e cilësoi shumën e parave si “para xhepi” të Ballukut. Ai ngriti pretendime për gjetjen e 900 mijë eurove në banesën e ministrit Arbjan Mazniku, duke akuzuar institucionet se kanë përdorur standarde të ndryshme.
Berisha hodhi akuza të forta edhe ndaj SPAK-ut, duke e cilësuar atë si një krijesë të Partisë Socialiste dhe duke pretenduar se drejtësia vepron në mënyrë selektive ndaj eksponentëve të mazhorancës.
Berisha tha se mbetet për t’u parë se si do të regjistrohet shuma e parave të gjetura në vilën e Dhërmiut.
Bashkëbisedimi me qytetarët
Qytetari – Sabjan Maho: Përshëndetje Doktor, sot është bërë publik një tjetër fragment nga dosja e Ballukut në media. Në mesazhin e UhatsApp të dërguar nga një punonjëse e Ballukut, të cilin e disponon SPAK, shikohet një foto me një kuti të kuqe plot me euro, që sipas prokurorisë, janë në vilën e kompleksit turistik ‘Uhite Rocks’ në Dhërmi, që është në pronësi të Lubisë. Pyetja ime është, përse drejtësia po vepron me dy standarde me Lubinë?
Sali Berisha: Faleminderit shumë për pyetjen.
Kutia me euro e Lubisë, në vilën e kuqe të saj, se edhe ajo ka vilë të kuqe, janë paratë e xhepit të kësaj lubie të vërtetë. Qofshin dhe miliona, janë paratë e xhepit të saj.
Nuk ka pasur Shqipëria një racë të shpifur në pushtet si këta hajdutë.
Meqë pyet për këtë, po ta tregoj dhe një rast tjetër. E ke parë nga ekrani në ekran përballë studentëve një farë Mazniku. Ministri Mazniku.
Mazniku, që ta dinë shqiptarët, edhe atij iu gjet arka me euro, me 900 mijë euro në shtëpi, me procesverbal. Në fakt, që ta dini mirë, i denoncuar nga të afërm të tij. Se le t’ia themi edhe qytetarëve se si u bë kontrolli.
Dhe në procesverbal u shkruajtën 3 mijë euro.
Dhe gjer sot, këto paratë e xhepit që u gjetën atij aty, 900 mijë euro, nuk e penguan atë të bëhet ministër, nuk e penguan atë të bëhet deputet. Vetëm e vetëm se është avokati i padronit dhe e nxjerr nga studio në studio.
SPAK-u është i partisë, zotëri. E ka thënë vetë Edi Rama.
Një gjë u them, është gabim të mos u besohet diktatorëve pohimet e tyre. Ai e ka thënë: SPAK-u është krijesë e Partisë Socialiste.
Kur ka thënë që SPAK-u është krijesë e Partisë Socialiste, duhet të kuptosh që SPAK-u është i zhytur në krime po aq sa eksponentë të Partisë Socialiste dhe janë seleksionuar mbi bazën e krimit. Dhe kjo është e vërteta.
SPAK-u janë maznikër, janë ballukër. Ndoshta ballukër jo në përmasat që s’kanë patur në dorë, po me aq sa kanë patur në dorë janë jo pak.
Kështu që thjesht arka është një inventar, i bëhet një inventar Lubisë, edhe ato para të shohim sa do t’i regjistrojnë, do t’i regjistrojnë 1 milion apo do t’i regjistrojnë 5 mijë euro, çfarë të duan i regjistrojnë.
