Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Një avion armik kapet nga Shqipëria komuniste më 1957. Më 1963, ndodh një incident me nëndetëse mes kundërshtarësh. Më 1968, diku në një mal shkruhet një mesazh politik.
Tri ndodhitë, janë kthyer në histori filmike që tregojnë tri histori në tri vende të ndryshme: Tirana, Berati e Gjirokastra.
Dekada më vonë, këto ngjarje të së shkuarës, vijnë në kohën tonë, të prezantuara ndryshe, ashtu si fantazmat. Të gatshme për histori të tjera të paparashikuara. Në qendër të secilës prej këtyre ngjarjeve ka një prag që ndan modelet ideale me faktet e ndjeshme, idetë me historinë. E megjithatë, të gjitha sillen rreth figurës së rëndë të liderit komunist shqiptar Enver Hoxha. Ndaj Hoxha, vite pas vdekjes “do te marrë pjesë” në Bienalen e Venecias. “It Wears as It Grows”, “Never” e “Recapitulation” janë tri videot e Armando Lulaj, artisti me të cilin Shqipëria prezantohet këtë vit, në eventin më të madh të artit pamor.
Pavijoni shqiptar në Bienalen e 56-të të Artit në Venecia, përfshin tri punë të dramaturgut Armando Lulaj. Një triologji filmike mbi periudhën e Luftës së Ftohtë në Shqipëri e jo vetëm.
I lindur më 1980-ën, dramaturgu e shkrimtari Lulaj, njihet për realizimin e teksteve e videove që kanë të bëjnë me zona rreziku dhe imazhe konfliktesh.
Ai ka marrë pjesë më herët në Bienalen e Venecias(2007)në atë të Berlinit (2010); në Bienalen e Artit Bashkëkohor në Szczecin, Polonia (2009); në Bienalen e Pragës (2003 e 2007). Pra, është një artist, që ka pasur një udhëtim që nuk mund të shpërfillet në skenën e artit botëror.
Triologjia filmike me të cilën shkon në Venecia është përfundim i një kërkimi disavjeçar, mbi periudhën e Luftës së Ftohtë, një udhëtim që i kushtohet temave të memories kolektive dhe përvojës historike.
Puna e parë e kësaj serie është “It Wears as It Grows” (2011); e dyta “Never” (2012) dhe e treta “Recapitulation” (2015), e realizuar enkas për Bienalen.
I përzgjedhur si përfaqësues i Shqipërisë nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga Boris Groys, Kathrin Rhomberg, Adrian Paci dhe Alberto Heta, për punën e tij, kuratori Marco Scotini, ka folur në “Artribune”.
Scotini, beson se për Shqipërinë ky prezantim i 2015-ës, në një farë mënyre, është si një pjesëmarrje për herë të parë u në Bienalen e Artit në Venecia. Kjo, sipas tij, jo për të zbehur impaktin e viteve të shkuara, por, sepse ky edicion është i pari qëkur në vitin 2013 Edi Rama ka marrë postin e kryeministrit. (Në fakt, Edi Rama, ishte edhe vitin e shkuar kryeministër, vit kur në Venecia shkuan dy artistë të mirë, por, të parë edhe si miq të shefit të ekzekutivit: Adrian Paci e Edi Hila). Megjithëkëtë, Scotini mendon se duhet vullnet politik për të shënuar një arritje (të tillë) dhe vullneti politik, duhet medoemos edhe për më shumë se kaq, por edhe për kaq.
Sa i takon ‘njohjes’ me artistin Lulaj, Scotini, kujton vitin 2004, kur është realizuar “Living in Memory”. Një yll gjigant me pesë cepa, që shkëlqente mbi Dajt, derisa dita zbardhi. Përmes saj, Scotini ka parë që fantazmat kolektive, utopiste të socializmit, kanë filluar të popullojnë punën e tij dhe nuk e kanë braktisur më.
“Triologjia shqiptare do të propozohet si një lloj makine muzeale me trofe e relike, ku fiksioni e dokumentet do të paraqiten së bashku. Puna e Lulajt (ka si nëntitull “Një seri e stratagjemash ekuivoke”) luan kryesisht me hendekun e historisë.
Ne mund të pyesim: Çfarë bën skeleti origjinal i një balene të Mesdheut 11 metra e gjatë, në një hapësirë që i kushtohet historisë politike? A jemi të sigurt se ajo është në vendin e vet? Ç’bëjnë fotot e fëmijëve përballë malit të Shpiragut? Pse vendosen aty dhe jo diku tjetër?”,- thotë Scotini.
Për kuratorin, Lulaj ekspozon gjurmët e papërfunduara në formën e dokumenteve dhe e transformon hapësirën ku ato shfaqen në një teatër të hapur hipotezash të ndryshme. “Ka një natyrë shpërfaqëse. Bëhet fjalë për politikën e kujtesës: Gjithmonë e gatshme për të rinegociuar me të kaluarën, për ta vënë në dyshim, për ta rishkruar atë. Sigurisht, ka gjurmë, të dhëna, por çfarë janë shenjat? Si mund ti deshifrojmë ato? Çfarë na thonë jo vetëm të kaluarën, por edhe për të ardhmen? Të vjetrit kishin njerëz që hidhnin fall apo magjistarë, ndërsa sot ne nuk kemi më shumë se hamendje”.
I pyetur se si përshtaten punët e Lulajt me hapësirat e Bienales, Scotini është shprehur se do të krijohet një kënd muzeal i shoqëruar më shumë se sa me një katalog, me një atlas historik të Luftës së Ftohtë në Shqipëri. “Pavijoni do të mbajë kështu shpirtin profan të punëve të artistit”. Se si “Triologjia shqiptare: Një seri stratagjemash ekuivoke” do ti bashkëngjitet dhe do të përshtatet me temën kryesore të Bienales së Venecias “All the World’s Futures”, kuratori thotë se duhet parë se cila pjesë e punës shqiptare i përshtatet së tërës së Venecias. “Ne nuk kujtojmë, ne shkruajmë memorien”, thotë Scotini, duke uruar që rishkrimi i tyre të arrijë të sqarojë publikun për shumë probleme të së tashmes në pritje që e panjohura (që do të vijë ose që është mes nesh) të trokasë në portë.
Edicionin e 56 i Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Venecia, do të zhvillohet nga data 9 maj-22 nëntor 2015 dhe kurohet nga Okuwi Enwezor. Kuratori Marco Scotini është një personazh i njohur në artet pamore në vendin fqinj. Ai është drejtori i Departamentit të Arteve Vizuale në NABA (Nuova Açademia di Belle Arti, Milano), kuratori i Arkivit Gianni Colombo, si dhe drejton revistën “No Order”: Artin a Post-Fordist Society. Për më shumë se një shekull Bienalja e Venecias është një nga institucionet më prestigjioze të kulturës në botë. Që nga themelimi i saj në vitin 1895, ka qenë në avangardë në promovimin e trendeve të reja artistike dhe në organizimin e eventeve ndërkombëtare të artit bashkëkohor.
Artribune, është një revistë italiane e përkushtuar ndaj artit bashkëkohor.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
