TIRANË-Pas ndalimit të gjyqtarit Shkëlqim Miri, policia ka shpallur në kërkim me urdhër të Prokurorisë edhe Gentian Dodën, i cili dyshohet për veprën penale të ‘korrupsionit aktiv’. Doda, akuzohet se ka dhënë një shumë të madhe parash për të dalë nga burgu, si dhe për ‘pastrim parash’.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për ‘BalkanWeb’ se Doda ka lënë qelinë 2 muaj më parë, ndërsa ai cilësohet një person i rrezikshëm i botës së krimit. Ndërkohë, të përfshirë në ngjarje kriminale janë edhe disa prej familjarëve të tjerë, por që asnjëherë nuk u vërtetuan nga autoritetet e drejtësisë. Nga informacionet që disponon ‘BalkanWeb’ mësohet se sipas sistemit TIMS, nuk rezulton që Doda të jetë larguar jashtë vendit. Por nuk mund të përjashtohet fakti që ka shkelur kufirin duke përdorur emra të tjerë. Duke marrë shkas nga kjo çështje korrupsioni, do të rihapet me shumë gjasë edhe çështja në fjalë e vitit 1997.

KUSH ESHTE GENTIAN DODA
Prokuroria e Matit ka kërkuar dënimin me 20 vjet burgim për Gentian Doda, i ekstraduar nga SHBA në 2012 i akuzuar për vrasjen e Gazmir Dedja dhe Asllan Gjoka, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 1997. Autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja kanë qenë anëtarë të grupeve rivale në Burrel, konflikti ndërmjet të cilëve ka vijuar për shumë vite dhe me shumë viktima.

Përplasjet e ashpra ndërmjet dy grupeve rivale janë shtrirë edhe në qytete të tjera. Në vitin 2010, në Tiranë është vrarë edhe vëllai i viktimës, Halil Dedja, i cili u gjet i vdekur në hyrje të pallatit ku banonte. Ditën e ngjarjes së vitit 1997, autori Gentian Doda dhe viktima Gazmir Dedja janë konfliktuar verbalisht dhe më pas, i pandehuri e ka qëlluar me automatik, duke e plagosur rëndë. Nga plumbat ka mbetur i vdekur aksidentalisht Asllan Gjoka. I plagosuri ka mundur të mbijetojë vetëm dy ditë për shkak të plagëve të marra, por ka arritur t’u tregojë familjarëve se kush e kishte qëlluar, duke identifikuar Gentian Dodën.

Menjëherë pas krimit, i pandehuri është larguar jashtë Shqipërisë dhe është arrestuar në vitin 2012 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare. Pas ekstradimit, i akuzuari kërkoi rivendosjen në afat dhe rishikim të dënimit të dhënë më parë ndaj tij për këtë vepër penale.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb