TIRANË

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagon për arrestimin nga SPAK të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, teksa shprehet se një gjë e tillë provoi se akuzat e PD ndaj inceneratorëve kanë qenë të vërteta.

Në një deklaratë nga selia blu, kryedemokrati Lulzim Basha theksoi se Lefter Koka nuk është “peshku i madh”, pasi sipas tij, “emrat e vërtetë që fshihen pas aferës 400 milionë euro të inceneratorëve janë ato të Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Erion Veliajt, Klodian Mërtiri, Arben Ahmetaj e surrogateve të tjerë”.

“Sot është dita të kujtojmë se ishte PD, që në shkurt të 2018 nisi procesin e denoncimeve për inceneratorët, për 400 milionë euro që u janë zhvatur qytetarëve shqiptarë. Sot, arrestimi i ministrit të Ramës provon se akuzat tona kanë qenë të drejta, se denoncimet tona kanë qenë të bazuara. Nuk ka qytetar shqiptar ta besojë se ky është peshku i madh. E dinë të gjithë se 17 vendime qeverie brenda dite nuk i nxirrte dot një ministër, kushdo qoftë. Emrat e vërtetë që qëndrojnë pas kësaj afere me 400 milionë euro janë ato të Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Erion Veliajt, Klodian Mërtiri, Arben Ahmetaj e surrogateve të tjerë. Sado që nuk ka veprim të plotë, nuk ka drejtësi të plotë për këtë aferë të tmerrshme korruptive, që ka varfëruar edhe më shumë xhepat e shqiptarëve.

Nuk mund të themi që sot është një ditë triumfi për drejtësinë, është ndoshta fillimi i një procesi, por që nuk mund të përfundojë pa dhënë përgjigje se cfarë bëhet me kokat e kësaj afere, me kreun e qeverisë. Paratë e kujt po pastronte ministri i Ramës që u arrestua sot? Kjo dëshmon edhe njëherë se PD po e bën këtë betejë për interesat e shqiptarëve, por tregon edhe se fajtorët janë vetëzbuluar para opinionit publik. Ky është momenti për t’i thënë cdo shqiptari se komisioni hetimor për inceneratorët duhet ngritur dhe beteja do të vazhdojë. I kërkoj drejtësisë sot pa hezitim të vërë para përgjegjësisë të gjithë, duke filluar nga koka.

Hapi i parë i ndërmarrë sot është i mirëpritur por nga ana tjetër dua ta them fare qartë në emër të PD se pa shkuar tek peshqit e mëdhenj të kësaj afere gjithçka mbetet një farsë. E nxis drejtësinë në këtë ditë kur ka hedhur këtë hap të parë, të mos ndalet me kaq, mos ta fusë në kalendat greke procesin e hetimit, por të shkojë tek autorët. Sot është dita kur Lefter Koka është arrestuar, që Edi Rama, Ëngjëll Agaçi, Damian Gjiknuri, Srben Ahmetaj, së bashku me Klodian Mërtirin, Erion Veliajn dhe kryetarët e dy bashkive të tjera të thërriten dhe të merren urgjentisht sipas ligjit, të procedohen sipas ligjit, sepse pa ta Lefter Koka, sigurisht që nuk do të arrinte dot të kryente këtë vepër monstruoze dhe këtë krim të rëndë mbi xhepat e shqiptarëve ”, u shpreh kryedemokrati Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb