GJIROKASTËR- Një 28-vjeçar është arrestuar në Gjirokastër pasi ka tentuar të vjedhë me dhunë në banesën e 2 të moshuarëve. Sipas të dhënave zyrtare është vënë në pranga shtetasi Ndriçim Dervishaj, banues në Vlorë.

28-vjeçari ka hyrë në një banesë në fshatin Likomil, në Dropullin e Sipërm, me qëllim për të vjedhur. Në banesë ka qenë vetëm 71-vjeçarja me iniciale E.DH., pasi bashkëshorti i saj kishte shkuar me bagëti. I riu është futur në oborr dhe ka ushtruar dhunë mbi shtetasen E.DH. Sipas dëshmisë së gruas ai i ka mbyllur gojën me qëllim që ajo të mos bërtiste dhe të hapte banesën për të treguar lekët.

Në përpjekje e sipër, 71-vjeçarja ka mundur të kërkojë ndihmë duke bërtitur. Në këto kushte autori është larguar me vrap pa vjedhur gjë në banesë.

Banorët e fshatit kanë lajmëruar Stacionin e Policisë Dropull ku falë reagimit në kohë të Policisë është bërë e mundur që pas 45 minutash policia të kapë dhe arrestojë në flagrancë 28-vjeçarin rreth dy kilometra larg vendngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Vjedhje me dhunë e mbetur në tentativë”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: