46-vjeçarja Eleni Argyriou, e akuzuar për përfshirje në sulmin me zjarrvënie në bankën Marfin në Athinë në vitin 2010, është arrestuar nga autoritetet britanike, pasi ndaj saj ishte lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar përmes “Njoftimit të Kuq” të Interpolit.

Argyriou është bashkë e pandehur me dy persona të tjerë, të cilët janë arrestuar tashmë për ngjarjen tragjike që i mori jetën tre punonjësve të bankës gjatë protestave në Greqi.

Para arrestimit, përmes avokatit të saj, 46-vjeçarja kishte deklaruar për mediat greke se do të kthehej vullnetarisht në Greqi për të bashkëpunuar me autoritetet dhe për të provuar pafajësinë e saj.

“Po kthehem në Greqi vullnetarisht dhe vihem në dispozicion të autoriteteve për çdo hetim. Jam e pafajshme dhe nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen e rëndë në Marfin”, ishte deklarata e saj.

Megjithatë, autoritetet greke vendosën të aktivizonin procedurat ndërkombëtare të kërkimit, duke bërë që ajo të arrestohej në Mbretërinë e Bashkuar.

Tashmë pritet nisja e procedurave të ekstradimit të saj drejt Greqisë, ku do të dalë para autoriteteve hetimore për t’u përballur me akuzat që rëndojnë mbi të.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb