KAVAJË

Policia e Kavajës ka arrestuar një 21-vjeçar pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë teksa drejtonte mjetin në mënyrë të parregullt, por nga kontrolli në banesë u zbuluan armë dhe dyshohet se është autor i 4 vjedhjeve.

Në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë arrestimin e shtetasit A. U., 21 vjeç për veprat penale: “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Ky shtetas, duke drejtuar automjetin në mënyrë të parregullt, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë së Patrullës së Përgjithshme, ka braktisur mjetin dhe ka tentuar të largohet.

Gjatë kontrollit të banesës së tij, nga shërbimet e Policisë iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë gjahu pa leje, fishekë luftarakë, një dorezë metalike dhe një maskë që dyshohet se përdoret për vjedhje.

Nga veprimet e para hetimore të kryera rezulton se ky shtetas dyshohet të jetë autor i 4 vjedhjeve të ndodhura gjatë ditëve të fundit, konkretisht:

– Më datë 19.01.2022, në fshatin Rrakull, Kavajë, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit Xh. T.;

– Më datë 19.01.2022, në fshatin Bago, Kavajë, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit Xh. V.;

– Më datë 21.01.2022, në lagjen nr. 3, Kavajë, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit Xh. L.;

– Më datë 24.01.2022, në fshatin Golem, Kavajë, dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetases E. S.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb