* Fuga: Kur qytetari nuk ushtron dot pushtetin, kombi është në rrezik

TIRANË- Profesor Artan Fuga i ftuar në emisionin “Natë me Xhaxhiun” foli për reformën në drejtësi dhe situatën politike dhe shoqërore në vend. Në analizën e tij për miratimin e reformës në drejtësi me konsensus, Fuga tha se klasa politike shqiptare nuk do ta kishte votuar unanimisht nëse nuk do të kishte presionin e faktorit ndërkombëtar.

Lidhur me ndryshimet kushtetuese të miratuara nga parlamenti, Fuga tha se kur këto ndryshime janë pozitive, del në plan në dytë nëse bëhen nga parlamenti apo nga populli.

“Keni të drejtë kur thoni që kushtetuta ka pësuar ndryshime dhe nuk është pyetur qytetari, por nuk jemi në një demokraci të drejtpërdrejtë. Fakti që kjo kushtetutë është aprovuar me referendum popullor. Nganjëherë kur mendohet që ndryshimet janë pozitive, del në plan të dytë ndryshimet që bëhen, nëse bëhen nga parlamenti apo duke kaluar tek qytetaret drejtpërdrejtë”, thotë profesor Fuga.

Pavarësisht miratimit të reformës, Fuga rendit 4 dështime të klasës politike.

“Për mua para se të themi sa mirë që reforma të bëhet dhe të falënderojmë ndërkombëtarët, të paktën duhet pranuar një fakt: që nga situata që po vijnë, ne po përmbyllim 4 dështime të mëdha:

1- Sistemi i së drejtës në vend ishte strukturuar në atë mënyrë që ka krijuar probleme të pamata në raport me qytetarin.

2- Dështimi i dytë; që klasa politike shqiptare ndonëse ndodhet përballë një problemi të tillë përpara së drejtës, nuk arrinte dot të shënjonte se cilat ishin defektet në strukturimin e kësaj të drejte.

3- Klasa politike nuk gjente dot mekanizmin për t’u bërë bashkë në mënyrë që të prodhonte një koncept të ri për të drejtën në mënyrë konsensuale.

4- Dështimi tjetër; deri natën e fundit, nëse nuk ishin presionet e ndërkombëtarëve, si vështirë që do kishim atë votim.

Duke folur për situatën në të cilën gjendet vendi, por edhe klasa politike për këto 25 vjet, profesor Fuga ka tezën e tij.

“Hipoteza ime është që kam përshtypjen që miqtë tanë perëndimorë ende nuk janë të bindur për kapacitetet demokratiko-ndërtuese të vendit tonë. Kam përshtypjen që ata pranojnë më mirë një lloj demokracie të kufizuar në Shqipëri, sesa një demokraci me shume aktorë të cilët mund të administrohen me vështirësi.

Klasa politike është pozicionuar në raport me pushtetin në atë mënyrë që e konsideron marrjen e pushtetit, por nuk mendon që marrja e pushtetit është detyrë e përkohshme. Nuk është e përgatitur që për 4 vjet mund ta lëshojë pushtetin. Por, më dramatikja është se qytetari akoma nuk është mësuar të marrë përgjegjësi për ta ushtruar këtë demokraci. Teza ime është: në një situatë kur ka diktatorë, problemi është dramatik por ama përgjegjësia është e diktatorit. Në momentin kur ka një elitë aristokrate që drejton, përgjegjësia është e elitës. Në momentin kur ka një demokraci që duhet që pushteti të shkojë te qytetari dhe qytetari nuk është gati ta ushtrojë atë pushtet, jo vetëm shteti është në rrezik, jo vetëm demokracia është në rrezik, por vihet në rrezik kombi”, deklaron Fuga.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: