Asambleja kombëtare e Koresë së Jugut miratoi njëzëri një projekt-ligj për të ndaluar ngrënien dhe shitjen e mishit të qenit.

Therja, mbarështimi, tregtimi dhe shitja e mishit të qenit për konsum njerëzor do të ndalohet duke filluar nga viti 2027. Shkelësit e ligjit të ri do të përballen me dënime nga dy deri në tre vjet burgim ose një gjobë deri në 30 milionë Won Koreane, ose rreth 2,300 dollarë.

Akti i posaçëm për ndalimin e konsumit dhe tregtimit të mishit të qenit ndalon hapjen e një ferme të re, thertoreje apo restoranti që merret me mish qeni.

Fermat që dikur rritnin qen për mish janë të detyruara të raportojnë në pushtetin vendor për gjendjen e tyre të funksionimit brenda tre muajve pas miratimit të legjislacionit dhe të dorëzojnë një plan për mbylljen e objektit brenda gjashtë muajve.

“Koreja po ndryshon me shpejtësi në një shoqëri që kujdeset për mirëqenien e kafshëve. Besoj se është koha që qeveria të veprojë për të zgjidhur problemin e konsumit të qenve,” tha Ministri i Ushqimit, Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale Song Mi-ryung pas miratimit të legjislacionit. .

Ministria do të vazhdojë të komunikojë me fermat e mishit të qenve, tregtarët dhe pronarët e restoranteve, të cilëve u kërkohet të mbyllen sipas legjislacionit dhe të marrin masa mbështetëse për t’i lejuar ata të vazhdojnë aktivitetet e tyre ekonomike në një lloj të ri biznesi.

Konsumimi i mishit të qenit ishte një traditë shekullore e bazuar në besimet se është i mirë për qëndrueshmërinë, por në ditët moderne shumica e koreano-jugorëve kanë qenë kundër tij.

“Ne arritëm në një pikë kthese ku shumica e qytetarëve koreanë refuzojnë të hanë qen dhe duan ta shohin këtë vuajtje të transferuar në librat e historisë, dhe sot politikëbërësit tanë kanë vepruar me vendosmëri për ta bërë atë realitet,” tha JungAh Chae, drejtor ekzekutiv i Shoqërisë Humane Ndërkombëtare/Korea. (HSI Korea), e cila ka bërë fushatë për ndalimin e mishit të qenit.

Rreth 86% e qytetarëve të Koresë së Jugut kishin pak ose aspak qëllim për të konsumuar mish qeni dhe 57% mbështetën ndalimin e industrisë së mishit të qenve, sipas një sondazhi të kryer nga Nielson Korea të porositur nga HSI Korea.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb