Një deklaratë e kancelarit gjerman Friedrich Merz, bërë gjatë një konference për mediat, ka ndezur reagime të shumta në Brazil. Deklarata e tij u konceptua si një koment që u konsiderua fyes ndaj vendit pritës të COP30. Duke folur për përvojën e tij në qytetin e Belém-it, Merz tha: “Ne jetojmë në një nga vendet më të bukura në botë. Pyeta disa gazetarë që ishin me mua në Brazil: Cili prej jush do të donte të qëndronte këtu? Askush nuk ngriti dorën. Të gjithë ishin të lumtur që u kthyem në Gjermani nga ky vend.”.

Deklarata, e bërë pa vetëdijen se sa ofenduese mund të tingëllonte, shkaktoi polemika në mediat braziliane dhe në rrjetet sociale. Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva reagoi menjëherë, duke kritikuar kancelarin për mungesën e një eksperiençe të vërtetë në qytet. “Ai duhej të kishte vizituar një bar në Belém, të kishte kërcyer dhe provuar kuzhinën tonë,” tha Lula. “Atëherë do të kuptonte se Berlini nuk ofron as 10% të asaj që ofron Pará dhe Belém. Po, qyteti është i varfër, por ka një popull aq bujar sa pak vende në botë.”.

Reagimet politike në Brazil ishin po aq të ashpra. Kryebashkiaku i Belém-it, Igor Normando, e quajti deklaratën e Merz “të pafat, arrogante dhe të anshme”, ndërsa guvernatori i Pará-s deklaroi se “një koment i tillë zbulon më shumë për personin që e bën sesa për vendin që e pret”. Më i ashpër ishte kryebashkiaku i Rio de Janeiro-s, Eduardo Paes, i cili në një postim në “X” e quajti kancelarin “nazist” dhe “bir bastard të Hitlerit”. Postimi u fshi më vonë, por Paes ironizoi duke shtuar: “Ministria e Jashtme duhet të qetësohet. Rroftë miqësia braziliano-gjermane.”

Nga ana gjermane, disa ministra u përpoqën të zbusin situatën. Ministri i Financave Lars Klingbeil mbrojti Merz-in, duke thënë se “politikanët duhet të lejohen të flasin lirisht” dhe duke theksuar se vizita në Brazil kishte qenë konstruktive. Ministri gjerman i Mjedisit, Carsten Schneider, zgjodhi një ton më pajtues, duke postuar një foto nga vizita e tij në pyllin tropikal dhe duke shprehur mirënjohje për mikpritjen braziliane: “Brazili është një vend i mrekullueshëm me njerëz miqësorë dhe mikpritës. Është për të ardhur keq që nuk mund të qëndroj më gjatë pas COP. Kam disa ide, si të shkoj për peshkim me miqtë e mi nga Amazona.”. Ndërkohë, debati vijon, duke vënë në qendër të vëmendjes jo vetëm marrëdhëniet diplomatike, por edhe kontrastet e mëdha sociale të qytetit pritës të konferencës globale për klimën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb