Një përfaqësues i komunitetit shqiptar në Australinë Perëndimore mori fjalën gjatë protestës së 54-t kundër kryeministrit Edi Rama, duke përcjellë një mesazh mbështetjeje nga diaspora shqiptare.

Ai u prezantua si president i komunitetit shqiptar në Australinë Perëndimore dhe tha se kishte ardhur në Shqipëri për të shprehur solidaritetin e bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit.

“Jam presidenti i komunitetit shqiptar në Australinë Perëndimore. Kam ardhur me një mesazh nga shqiptarët e Australisë: nuk jeni vetëm. Mbështesim çdo shqiptar që lufton për të drejta, liri dhe për një atdhe më të mirë. Pavarësisht se ku jetojmë, ne jemi një gjak. Kur Shqipëria na thërret, çdo shqiptar duhet t’i përgjigjet”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, ai deklaroi se korrupsioni dhe padrejtësia kanë detyruar shumë shqiptarë të largohen nga vendi, ndërsa theksoi se Shqipëria meriton, sipas tij, një qeveri që punon në interes të qytetarëve.

“Korrupsioni dhe padrejtësia e pushtetit na morën shpresat. Nuk u larguam nga vendi sepse donim. Shqipëria meriton një qeveri që punon për popullin. Asnjë qeveri nuk është më e fortë se një popull i bashkuar”, deklaroi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb