Ish-kreu i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në një intervistë të gjatë me Nisida Tufën në “Kjo Javë’, deklaroi tashmë detyra e kësaj partie është fitoj simpatinë e shqiptarëve, duke nënvizuar se kjo nuk bëhet nëse e shkuara nuk largohet.

Në këtë intervistë të parë dhënë për News24 pas dorëheqjes, Alibeaj, në një analizë që i bëri fushatës së tij dhe rezultatit në zgjedhjet e 14 majit, tha se do të kishte dashur më tepër angazhim nga deputetët e tij, ndërsa shtoi se nuk ka qenë dakord me disa prej kolegëve që kanë bërë thirrje tek qytetarët për të mbështetur kandidatët e Bashkë Fitojmë.

“Do doja të kishte një angazhim më të fortë dhe më publik nga të gjithë deputetët… nuk kam qenë dakord me kolegët që publikisht kanë bërë dhe thirrje të votonin kandidatin e BF, sepse nuk jepte dhe nuk jep sinjale qartësie ndaj bazës sonë.

Në politikë duhet të mbash përgjegjësi, dhe unë mbaj përgjegjësi. Unë i kuptoj kolegët e mi për atë që kanë hequr në një vit e gjysmë në këtë situatë. Janë ndodhur në sulme edhe fizike dhe verbale nga të ngjashmit e tyre, dhe nuk kanë pasur mundësi të shpërfaqen… ndaj e kuptoj që qëndresa e tyre është akt epik në PD. Jo nga të gjithë pritej e njëjta rezistencë, he më takonte mua të mbaja peshën dhe përgjegjësinë tani në fund.

Nga ky moment e tutje, besoj se rruga e vetme e PD për të fituar simpatinë e shqiptarëve, është kjo që është shtruar tani. Sfida tani fillon!

E kuptoja që kjo politika e vjetër brenda nesh, ishte pikërisht kjo që do  duhej refuzuar. Epitete personale, shpifje, të pavërteta… ndaj dhe politika e së shkuarës nuk rezultoi fituese”, deklaroi ai.

I pyetur nëse para se të vendoste për të dhënë dorëheqjen ka pasur komunikim me Lulzim Bashën, ai u përgjigj negativisht, duke sqaruar këtë vendim e kanë ditur vetëm 2-3 miq të ngushtë të tij, jashtë politikës.

“Jo, për këtë çështje nuk kam komunikuar me asnjë. Kjo sepse është një akt që do duhej ta bëja unë, dhe i kam aq aftësi që të kuptoja që ky ishte momenti për ta bërë. E kam konsultuar me dy-tre miq të ngushtë jashtë politikës, për të parë reagimin, dhe në fund të analizës thash po ky është momenti”, tha ai.

Alibeaj tha po ashtu se nuk mendon se duhet të ketë rikthime në PD, të asnjë “ish-i, kushdo qoftë ai”.

“Siç unë e imagjinoj, do duhet të shkëputemi nga mendësia e partisë që vërtitet rreth ish-it, kushdo qoftë ai”, u shpreh nënkryetari i PD.

(BalkanWeb)                       

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb