Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar marrëveshjen e nënshkruar në SHBA mes Hotit dhe Vuçiçit në prani të Donald Trump.

Rama thotë se nuk ka tradhëti, por se marrëveshja e nënshkruar sot është vazhdimi i rrugës që do të përmbyllet me dialogun Kosovë- Serbi.

Ai thotë se duhet dialog për gjithçka, bashkëpunim për sot dhe këmbëngulje për çfarë duhet nesër.

Rama gjithashtu shpreh keqardhjen që u humb kohë për dakordësimin e Kosovës me Shengenin Rajonal, por thotë se falë Amerikës mike dhe ky ngërç përfundoi.

Më tej ai thotë se paqja e Kosovës me Serbinë nuk bëhet me shpata virtuale dhe as me damkosje tradhëtarësh. Pikërisht Rama është akuzuar për tradhëti ndaj Kosovës për shkak të idesë së shkëmbimit të territoreve, por ai thotë se sot u provua se s’ka tradhëtarë.

STATUSI NGA EDI RAMA

ASNJË TRADHËTI BURRA!

Urime Kryeministrit Hoti për marrëveshjen e arritur me Serbinë, e cila s’është fundi po vazhdimi i të vetmes rrugë drejt njohjes përfundimtare: Dialog për gjithçka, Bashkëpunim për çka mundet sot, Këmbëngulje për çka duhet nesër!

Keqardhje që u humb kaq kohë për t’u dakordësuar me Shengenin Rajonal,si një projekt ambicioz me interes kombëtar zhvillimi përmes rritjes së bashkëpunimit, e si një shtysë më shumë për integrimin europian të shteteve tona. Po më mirë vonë se kurrë, edhe falë Amerikës mike

Njohja e Kosovës nga Izraeli është fruti fantastik i kësaj marrëveshjeje me potencial të madh zhvillimor, po edhe shembull për të gjithë që lufta për paqen përfundimtare me Serbinë nuk bëhet as me shpata virtuale kundër Beogradit, as me damkosje digjitale tradhëtarësh imagjinarë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb