Ish-ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj nga foltorja e Kuvendit pranoi se reforma në sistemin e drejtësisë nuk ka ecur ashtu siç duhej, ndërsa pohoi se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit duhet të bënte më shumë në këtë proces.

Teksa pritet që sot të votohet zgjatja e mandatit për organet e vettingut, Xhafaj iu bëri thirrje deputetëve në sallë që të mbështesin procesin e reformës në drejtësi. Mes të tjerash ai iu çoi një mesazh atyre që sipas tij nuk e duan sistemin e drejtësisë së re, që ta harrojnë se i vdekuri nuk ngjallet, por veçse në ëndrra.

Xhafaj pohoi se për disa zgjedhje duhet të ndihemi të turpëruar, ndaj duhet reflektuar dhe mbajtur përgjegjësi.

“Komisionerët kanë bërë një punë voluminozë në një presion, duke i njohur këto merita shumicës prej tyre në KPK, komisioneri publik dhe veçanërisht në KPA nuk kemi pse të mos pranojmë se disa ndër ta nuk e kanë merituar këtë përgjegjësi dhe me mungesën e ndershmërisë kanë kërcënuar vlerat e këtij procesi. Ky është fakt. Ne të gjithë këtu të dy krahëve duhet të na bëjë që të skuqemi për zgjedhjet e gabuara që kemi bërë kur kemi shtypur butonin për ta. Gabim që e kemi bërë edhe me disa zgjedhje në KLP dhe KLGJ dhe që mesa po shoh edhe sot vështirë të ndahemi. Ne këtu, ju, kemi votuar për ta, i kemi zgjedhure, ndaj duhet të ndjehemi të turpëruar për disa nga zgjedhjet që kemi bërë. Duke njohur këtë përgjegjësi dhe duke reflektuar ne jemi të vërtetë me qasjen tonë ndaj këtij procesi dhe akoma më shumë i japim besueshmëri procesit”, tha Xhafaj.

“Në korrik të 2015-ës prezantova për herë të parë në media idenë e skanimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i emëruar si komponent të reformës në drejtësi, por s’e kishim menduar këtë gjë. Koha na ka dhënë të drejtë. Koha na ka dhënë të drejtë dhe për domosdoshmërinë e pastrimit të sistemit të korruptuar. Nga kjo foltore e përtej saj kemi dëgjuar lloj e lloj akuzash. Ata që s’i kuptoj realisht janë ata që gjenden në këtë sallë. Vettingu ka pasur konsensus të plotë politik. Aneksi kushtetues dhe ligji për vettingun iu është nënshtruar komisionit të Venecias 5 herë. Disa prej kolegëve të opozitës thonë se; ‘ligji është votuar pa votat tona’. Ligji i është nënshtruar gjykimit të Kushtetueses së kohës dhe më pas nga Venecia dhe Gjykata e Strasburgut. Ligji në fuqi është hartuar si projekt legjitim. Nëse nuk e keni kurajon për t’ju kërkuar ndjesë qytetarëve, të paktën heshtni. Disa prej jush se kanë dashur vettingun në politikë. Opozita zgjodhi rrugën e gabuar, iu shmang seancave për Legjislacionin. Apo siç veproi në 2017-ën kur hyri në çadër. Vota e sotme prej jush për ndryshimin kushtetues, është veprim i duhur. Jam i vetëdijshëm që në procesin e zbatimit jo gjithçka shkon sipas ligjit. Duhet përgjegjshmëri dhe koordinim. Vërtetë sot po miratojmë një nen të thjesht për zgjatje afati, por kemi humbur një shans të mirë për të treguar mbështetje ndaj këtij procesi. Ishte momenti që pas 5 vitesh proces, të dëshmojmë se e duam këtë proces. Ne e kemi për detyrë që t’ju japim zë qytetarëve, përtej sherrnajave. Edhe sot vështirë të ndahemi nga kjo partiake që kemi. Duhet të ndihemi të turpëruar për disa nga zgjedhjet e bëra. Ne jemi të vërtetë me qasjen tonë.

Të nderuar kolegë padyshim që përgjegjësia kryesore na mbetet ne maxhorancës dhe na votuan për një mandat të 3. Lipset që të bëjmë akoma më shumë për një proces vettingu më të lartë. Procesi ka shfaqur dhe probleme, siç është ritmi apo vonesat e pajustifikuara, apo zvarritjen e qëllimshme për disa të tjerë. Ka akuza dhe për disa komisionerë, apo dhe ndikim me dy standarde. ONM duhet të luante një rol me aktiv në gjykimin e këtyre praktikave. Për disa komisionerë, janë iniciuar kallëzime penale që mbahen peng dhe tentohet qe të ndikohet në vendimmarrje të caktuara. Këto dukuri meritojnë që të analizohen. Në vlerësimin tim bordi ndërkombëtar i këtij proces do të duhej që të ishte më aktiv, por pa ONM nuk do të ishte ky proces. Janë duke luajtur rol kyç në mbajtjen e standardeve. Duhet të jemi mirënjohës dhe shoqërisë civile. Besoj te reforma në drejtësi. Është koha për të rikthyer drejtësinë e mohuar. Por është koha për të reflektuar edhe ne të gjitha krahët në këtë sallë. Ata që e duan siç e kishin dje, ta harrojnë se i vdekur nuk ngjallet më, veçse në ëndrra. Ata që e duan si dje, me keqardhje ju them se nuk paskan kuptuar asgjë. Por më mirë vonë se kurrë.”, tha ai.

Fjala e plote: 

Kur në korrik të vitit 2015 prezantova publikisht në media, për herë të parë, idenë e skanimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për figurën, pasurinë dhe profesionalizmin, i emërtuar më pas si procesi i vetingut, si një komponent kyç të reformës në drejtësi, të jem i sinqertë nuk i kishim parashikuar dot plotësisht përmasat e një realiteti të tillë të dhimbshëm kalbëzimi në trupën e drejtësisë. Koha na ka dhënë shumë të drejtë për ligjshmërinë, standardet e konceptimit dhe hartimit ligjor të këtij projekti dhe procesit që e shoqëroj atë. Po koha na ka dhënë mëse të drejtë për domosdoshmërinë dhe dobinë e këtij projekti jetik që po jep një kontribut të jashtëzakonshëm për të pastruar sistemin nga individ të papërshtatshëm dhe një shumicë edhe të korruptuar e të kriminalizuar që kishin kapur për fyti institucionet e drejtësisë prej 30 vjetësh.

Nga kjo foltore e përtej saj, kam dëgjuar për vite me radhë lloj e lloj akuzash e shpifjesh, kam ndjekur lloj e soj delirantësh që e vetmja gjë që mund t’ju thuash është “Fali zot se nuk dinë as çfarë  thonë dhe as çfarë bëjnë!”. Gjithsesi, të gjithë këta mund t’i kuptoj se ca e bëjnë nga padituria, ca nga porosia, ca nga poshtërsia dhe ca të tjerë nga paturpësia.

Por ata që s’mund t’i kuptoj realisht gjenden këtu mes nesh brenda kësaj salle ashtu si në vitin 2016 kur votëbesuam të gjithë projektin në konsensus të plotë. Mund të kemi bindje të ndryshme politike, por faktet dhe historinë duhet ta përcjellim ashtu siç është.

E para: Vettingu si zgjidhje ligjore ka pasur konsensus të plotë politik, siç është fakt që nën presionin e opozitës draftit kushtetues ju bënë disa ndryshime ditën e miratimit të projektit në seancë, ndryshime me ngut që sollën jo pak probleme në zbatimin e tij gjithë këto vite.

E dyta: Aneksi kushtetues dhe ligji për vettingun i është nënshtruar vlerësimit të Komisionit të Venecias dhe jo pak, por 5 herë, në 2015, 2016, 2018, 2020 dhe 2021. E theksoj, PESË HERË!

Disa prej kolegëve të opozitës thonë që ligji është miratuar pa votat tona dhe PS e ka deformuar përmbajtjen e tij. Ju lutem jini korrekt në artikulimin tuaj pasi Aneksi kushtetues për vetingun është miratuar edhe me votat tuaja. Ligji, që nuk është gjë tjetër veçse detajim i aneksit, është miratuar me votat e maxhorancës PS-LSI në komision dhe në seancë.

Po ky ligj i deformuar nga ne, sipas jush, me kërkesën tuaj i është nënshtruar gjykimit të Gjykatës Kushtetuese të kohës që prekej drejtpërdrejt nga ky proces dhe është çertifikuar prej saj dhe më pas edhe 3 herë nga Komisioni i Venecias dhe së fundmi edhe nga Gjykata e Strasburgut dhe kjo gjykatë e nderuar e ka çertifikuar si plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Ligji në fuqi hartuar përmes ekspertizës vendase dhe ndërkombëtare, është finalizuar si një projekt legjitim, i çertifikuar në disa filtra si standard ndërkombëtar dhe ka shënuar një risi në doktrinën dhe praktikën e fushës. Andaj, nëse nuk e keni kurajën për t’u kërkuar ndjesë qytetarëve, së paku kini pak përgjegjshmëri të heshtni për këtë gjë pasi me ato që thoni veç sa e çimentoni akoma edhe më shumë në sytë e shqiptarëve idenë se disa prej jush nuk e kanë dashur qysh nga dita një.

Ndjehem i keqardhur që edhe në këtë rast, opozita zgjodhi rrugën e gabuar. Ju shmang debatit konstruktiv përmes bojkotimit të seancave të Këshillit për Legjislacionin ashtu siç veproj edhe kur ligji për vetingun u debatua në komisionin e posaçëm e këtu në seancë apo siç veproi në 2017 kur hyri në çadër dhe e futi gjithë procesin në një spirale problematikash zbatimi dhe në një kohë vonese të ndjeshme të formatimit të strukturave të vetingut që solli si efekt zinxhir gjithë problematikat e mëvonshme të përkthyera në situatën aktuale me vakancat e krijuara me institucionet e reja të drejtësisë. Vota e sotme për ndryshimin kushtetues është veprimi i duhur, reflektim i shëndetshëm, është në interesin e procesit, por edhe në interesin politik të opozitës përball qytetarëve dhe zgjedhësve të këtij vendi që duan të shohin një opozitë ndryshe, një opozitë konstruktive që ju shërben interesave të tyre.

Jam i vetëdijshëm që në procesin e zbatimit jo përherë gjithçka shkon sipas ligjit, frymës apo gërmës së tij. Kjo jo vetëm sepse nuk ka e nuk mund të ketë një ligj perfekt, por parasëgjithash se në zbatim duhet vullnet i fortë politik, përgjegjshmëri, koordinim efikas dhe padyshim kryesorja dëshirë për të bërë gjënë e drejtë dhe të duhur.

Vërtet ne sot po miratojmë një nen të thjeshtë për zgjatje afati dhe sipas meje po bëjmë absolutisht gjënë e duhur në çdo pikëpamje, por fatkeqësisht kemi humbur një shans të mirë për të treguar sinqeritet dhe përgjegjshmëri ndaj këtij procesi pavarësisht kahjes mbështetëse, kritike apo kritizere ndaj tij. Ishte momenti pas 5 vjet proces, të reflektonim dhe debatonim së bashku rreth tij dhe të dëshmonim se ne e duam realisht këtë proces, se e duam jo sipas interesave tona apo se na i kërkojnë ndërkombëtarët si detyrë shtëpie.

Ne e kemi për detyrë t’ju japim përgjigje qytetarëve, t’i sqarojmë ata, t’i informojmë për shqetësimet e ngritura në publik dhe të adresojmë sugjerimet. E kam kërkuar në vijimësi këtë analizë dhe më vjen keq që kjo gjë nuk ndodhi pasi sot do ta ngrinim këtë debat parlamentar në një standard europian përtej sherrnajës politike ku qytetarët do të mund të shihnin realitetin e gjërave vërtet nga këndvështrime të ndryshme, por me preokupimin se si mund e duhej të ishte një proces edhe më i mirë.

Padyshim procesi i vetingut për arsye tashmë të mirënjohura është i jashtëzakonshëm, me rezultate mbresëlënëse, i realizuar me përgjegjësi nga komisionerët, stafet mbështetëse dhe asistencën e ONM.

Njerëzit e përfshirë në këtë proces, komisionerët e të tre niveleve, por edhe stafet e tyre kanë bërë një punë tejet voluminoze, me shumë të panjohura, pa një praktikë të mëparshme në këtë fushë, por edhe nën një presion psikologjik e verbal të shumëfishtë.

Duke i njohur këto merita shumicës prej tyre në KPK (Komsioni i Posacëm i Kualifikimit), KP (Komisionerët Publik) dhe veçanërisht në KPA (Komisioni i Posacëm i Apelimit) nuk kemi pse të mos pranojmë se disa ndër ta nuk e kanë merituar këtë përgjegjësi dhe me mungesën e integritetit e ndershmërisë publike kanë cënuar vlerat e këtij procesi. Ky është fakt që më së pari ne duhet të na bëjë të skuqemi për zgjedhjet e gabuara që kemi bërë kur kemi shtypur butonin për ta. Gabim që e kemi bërë edhe me disa zgjedhje në KLP e KLGJ dhe që mesa po shoh edhe sot vështirë të ndahemi nga kjo praktikë me qasjen që kemi.

Ne kemi votuar për ta, ne i zgjedhim ndaj duhet të ndjehemi realisht të turpëruar për disa nga zgjedhjet tona.

Duke njohur këtë përgjegjësi dhe duke reflektuar ne jemi të vërtet me qasjen tonë ndaj këtij procesi dhe kryesorja i japim akoma edhe më shumë besueshmëri vet procesit.

Të nderuar kolegë!

Padyshim përgjegjësia e parë dhe kryesore për zbatimin e reformës në drejtësi, na mbetet ne maxhorancës. Qytetarët na votuan në 2017 për inicimin, drejtimin dhe koordinimin shembullor të kësaj reforme dhe përsëri në 2021 ata na ribesuan për një mandat të tretë ndër të tjera edhe me shpresën se reformës do t’i shkohet deri në fund dhe zbatimi i saj do të eci në frymën dhe gërmën e shkruar, standartet dhe qëllimet e përcaktuara.

Padyshim ne kemi bërë shumë në këtë proces, por lipset të bëjmë akoma edhe më shumë për të vazhduar një proces vetingu me ritëm më të lartë, me standarte të harmonizuara dhe kryesorja me integritet dhe objektivitet. Procesi ka shfaqur edhe probleme e dukuri që meritojnë vëmëndje.

Raportohet se ka probleme me ritmin, me shpejtësinë për çështjet prioritare, me vonesat e pajustifikuara në afatet e gjykimit deri edhe zvarritjen e qëllimshme për disa prej tyre.

Ashtu sikundër ka perceptime kryesisht apo edhe akuza publike për disa komisionerë për cënim të paanshmërisë e objektivitetit, për gjykimin me dy standarde, nënshtrim ndaj presioneve, etj. ONM mund e duhet të luaj një rol shumë më proaktiv në gjykimin dhe ndëshkimin e praktikave të tilla.

E vlerësoj shqetësues faktin që për disa komisioner për efekt hakmarrjeje dhe shantazhi janë inicuar kallzime penale që mbahen prej muajsh pa veprime dhe përmes tyre tentohet të ndikohet për vendimmarje të caktuara. Ju kërkoj publikisht institucioneve përgjegjëse (ILD, PP, SPAK, KLP) të monitorojnë me kujdes këto praktika dhe të përdorin gjithë instrumentet e nevojshme për të frenuar praktika të tilla korruptive dhe abuzimi nga prokurorë të veçantë.

Këto dukuri në asnjë rast nuk e zhbëjnë qëllimin dhe arritjet e rëndësishme të vettingut, por meritojnë të analizohen dhe gjykohen me përgjegjësi e maturi si domosdoshmëri për të përmirësuar më tej këtë proces në pjesën e mbetur të tij, por edhe si reflektim për kohën post-vetting që të parandalojmë rishfaqjen e fenomeneve të tilla në të ardhmen.

Në vlerësimin tim Bordi Ndërkombëtar Menaxhues i këtij procesi do të duhej të kishte dëshmuar një rol më proaktiv në proces, por fakt është se pa ta, pa ONM ky proces nuk do ishte ky që kemi sot. Duhet t’ju jemi realisht mirënjohës BE dhe veçanërisht SHBA pasi janë duke luajtur një rol kyç për besueshmërinë, integritetin dhe standardet e këtij procesi, por edhe për ta mbrojtur atë nga përpjekjet e parreshtura për delegjitimim e deformim ashtu edhe nga ndikimet e paligjshme e korruptive apo interferencat për ndikim interesash personale.

Ne duhet t’i jemi gjithashtu shumë mirënjohës shoqërisë civile dhe veçanërisht rrjetit investigativ BIRN, disa OJF-ve si Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Instituti i Studimeve Politike etj që në vijimësi përmes raporteve të shumta kanë monitoruar procesin dhe e kanë ndihmuar atë të orientohet drejt, çka përbën një shembull e mbështetje të mirë edhe për vet Kuvendin për të treguar një rol shumë më efikas në koordinimin dhe monitorimin e reformës në drejtësi.

Siç e kam theksuar edhe më parë kur jam shprehur për reformën dhe zhvillimet e saj, personalisht vazhdoj të besoj fort te reforma në drejtësi, te e tashmja dhe e ardhmja e saj. Është koha për të rikthyer drejtësinë e munguar, drejtësinë e mohuar, drejtësinë e penguar, drejtësinë që do bëjë drejtësi.

Po është koha për të reflektuar edhe NE, të gjitha krahët në këtë sallë, se me reformën në drejtësi gjërat me pushtetin e tretë, pushtetin e drejtësisë kanë ndryshuar, nuk janë më si më parë dhe nuk mund e nuk duhet të sillemi me të si më parë.

Ata që e duan siç e kishin DJE ta harrojnë pasi i vdekuri nuk ngjallet më përveç se në ëndrra. Ata që e duan edhe NESËR si dje, me keqardhje përsëri ju them se nuk paskan kuptuar asgjë.

Gjithsesi, më mirë vonë se kurrë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb