Prokuroria e Posaçme goditi mëngjesin e kësaj të shtune një grup kriminal të drejtuar nga Inez Hajrulla, që vepron në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Në finale të hetimeve disa mujore, prokurori i posaçëm Vladimir Mara ka firmosur shtatë urdhërarreste ndaj të dyshuarve për ngjarje të rënda kriminale si atentate mafioze apo trafik droge.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se është firmosur urdhërarrest për Hajrullën dhe krahun e tij të djathtë Ervis Matodashaj, të akuzuar për vrasjen e Gentian Qarrit mbrëmjen e 6 shkurtit 2021 në Vlorë, por ata i kanë shpëtuar prangave. Gentian Qarri, një ish i dënuar në Itali me 11 vite burgim për trafik droge u ekzekutua në lagjen “29 nëntori” në Vlorë. Motivi dyshohet përplasja e grupeve kriminale në trafikun e kokainës. Po ashtu, Hajrulla dhe Matodashaj rezultojnë të përfshirë edhe në ekzekutimin e biznesmenit vlonjat, Bledar Birçaj, ngjarje kjo e ndodhur në maj të vitit 2021.
Goditja e grupit kriminal është bërë pas analizimit të të dhënave në aplikacionin e koduar në Sky ECC. Hetimet janë duke vijuar edhe për ngjarje të tjera kriminale që dyshohet të kenë kryer nga i njëjti grupim kriminal.
Por kush janë emrat e 8 personave për të cilët SPAK lëshoi urdhërarreste dhe rolet e tyre në grupin kriminal?
Grupi kriminal i drejtuar nga Inez Hajrulla në Vlorë dyshohet për disa ngjarje të rënda kriminale si atentate mafioze apo trafik droge. Krahas tij dhe Ervis Matodashajt, SPAK ka lëshuar urdhëarrest edhe për Flodian Plakun, i njohur si Pole Qorri. Të gjithë janë të arrestuar në Shqipëri dhe Itali për krime të ndryshme, ndërsa Plaku akuzohet për vrasjen e Gentian Bejtjas në oborrin e shtëpisë së tij në Larushk të Fushë Krujës. Mësohet se ndaj Pole Qorrit është ngritur akuza e re e trafikut të drogës.
Argest Xheza, Arben Memishaj dhe Mendu Duka akuzohen për trafik droge.
Në mesin e emrave të grupit të Hajrullës është edhe një efektiv policie, Rezart Kuçi. Ai u arrestua sot në Vlorë me urdhër të SPAK, ndërsa akuzohet për “Shpërdorim detyre”, “Trafik lëndësh narkotike” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”. Ndërkohë është arrestuar edhe një ish-efektiv policie. Hamëz Demushi u kap në Zvicër me urdhër të SPAK, ndërsa akuzohet për trafik droge.
Goditja e grupit kriminal të Inez Hajrullës është bërë pas analizimit të të dhënave në aplikacionin e koduar në Sky ECC. Hetimet janë duke vijuar edhe për ngjarje të tjera kriminale që dyshohet të kenë kryer nga i njëjti grupim kriminal.
8 urdhërarrestet
Inez Hajrulla – arrest me burg – akuzë për vrasjen e Gentian Qarrit
Ervis Matodashaj – arrest me burg – akuzë për vrasjen e Gentian Qarrit
Flodian Plaku, i njohur si Pole Qorri – arrest me burg – akuzë për trafik droge
Hamëz Demushi – ish-punonjës policie – arrest me burg – akuzë për trafik droge
Argest Xheza – arrest me burg – akuzë për trafik droge
Arben Memishaj – arrest me burg – akuzë për trafik droge
Mendu Duka – arrest me burg – akuzë për trafik droge
Rezart Kuçi – arrest me burg – akuzë për trafik droge
