Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa ka qenë i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ku ka komentuar situatën e rënduar nga ngjarjet kriminale në vend.

Teksa në vetëm 24 orë në vend kanë humbur jetën 4 persona, dy në sulme për motive banale dhe dy të tjerë në një atentat të mirëfilltë në Panaja të Vlorës, Softa tha se krimi është rritur frikshëm në vend dhe Policia e Shtetit ka humbur vullnetin për ta luftuar.

Sipas ekspertit të sigurisë, ngjarjet e Fushë-Krujës, Laçit dhe Vlorës kanë ngjashmëri me njëra-tjetrën, për mënyrën sesi janë organizuar vrasjet dhe zhdukjen pa gjurmë të autorëve, çfarë të lë të kuptosh se “këta qitës profesionistë që janë të përgatitur, mund të jenë edhe ish-punonjës policie por janë stërvitur për të kryer të tilla atentate”.

“Të gjitha ngjarjet e këtij lloji kanë thuajse ngjashmëri. Tregon se janë profesionistë në mënyrën si bëjnë ndjekjen, qëllojnë dhe djegin mjetin duke mos lënë gjurmë. Kanë pasur një distancë shumë të afërt, mjeti nuk ka qenë i blinduar dhe ambienti ka qenë i kontrolluar nga ata. Këta duken si grupe paramilitarë. Qitës profesionistë që janë të përgatitur, mund të jenë edhe ish-punonjës policie por janë stërvitur për të kryer të tilla atentat. Krimi është bërë si një shtet paralel, sepse gjenden edhe njerëzit që do bëjnë ekzekutimin, drejtuesi i tyre, mjetet kush do i drejtojë, e kush do i kontrollojë, Pra kanë organizim. Ndjekja e personave që janë “gjahu” i tyre  mund të zgjasë me ditë, me muaj. Sepse at informohen mjetet që ndërron viktima, zonat ku flenë, kë kanë të dashur kë nuk kanë, lokalet ku rrinë, bizneset që kanë apo nëse jetojnë apo jo jashtë shtetit, në mënyrë që të vijnë në një nga zonat e mundshme të zgjedhur prej tyre. Kryesisht bëhen në vende ku nuk ka kamera, ku ka mbikalime dhe nënkalime për t’u zhdukur lehtë. Janë gjithmonë raste tipike, si në Laç, si në Fushë-Krujë dhe në Vlorë. përgjimi mund të vijë gjithmonë nëpërmjet mjeteve fizike”, tha Stefa.

Eksperti i sigurisë shtoi më tej se në Shqipëri përveç ngjarjes së sotme, janë edhe 8 atentate të tjera të kryera vitet e fundit që janë të pazbardhura dhe kjo situatë e vë në sprovë Policinë e Shtetit.

“Polica e Shtetit ka një teknologji të admirueshme, ka një trupë njerëzish që e duan policinë por mungon vullneti dhe dëshira për t’i ndaluar këta njerëz, se këta lëvizin të qetë në territor. Unë i konsideroj krimin dhe policinë një peshore, kur policia ulet ngrihet krimi. Tashmë bota e krimit është zmadhuar dhe ka ekonomi të fuqishme. Ka gjetur bashkëpunim që ka ardhur në këtë pikë me fuqi të madhe. Sepse vrasjet që kanë ndodhur janë bërë ndaj personave me precedentë penalë. Ka mbi 100 e ca persona nga radhët e policisë të përfshirë në krim, si në trafik droge, si në vrasje dhe plagosje”, deklaroi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb