Gazetari i “News 24”, e “BalkanWeb”, Ervis Kuçi ka treguar detaje në lidhje me atentatin e bërë mbrëmjen e kësaj të hëne ndaj 40-vjeçarit Bledar Muçaj, e ku u plagosën tre të tjerë.

Gazetari tregon se persona ende të paidentifikuar, kanë qëlluar nga brendësia e një mjeti tip “Golf” në drejtim të lokalit në pronësi të Muçajt, ku si pasojë, ky i fundit ka ndërruar jetë, e kanë mbetur të plagosur pesë të tjerë.

Postblloqe policore janë ngritur në hyrje dhe dalje të qytetit, ndërsa po kontrollohen mjetet tip “Golf” në qytet, për të rënë në gjurmët e autorëve. Gazetari nënvizoi më tej, se nga burimet paraprake, dyshohet se Muçaj mund të jetë përfshirë në ngjarje që kanë ndodhur në qytete të tjera të vendit.

“Një person ka mbetur i vdekur e pese të tjerë janë të plagosur e janë transportuar për në Spitalin e Lushnjës. Bledar Muçaj ka mbetur i vdekur. Burimet e para kanë bërë me dije se shënjestër e atentatit ka qenë Bledar Muçaj, që ndodhej në mjediset e lokalit. Burime nga vendi i ngjarjes kanë bërë të ditur se autorët kanë qëlluar në drejtim të lokalit, ndërsa ajo zonë e qytetit është shumë e frekuentuar. Paniku dhe shoku te qytetarët ka qenë i madh. Fill pas të shtënave ka arritur uniformat blu. Janë ngritur postblloqe në qytetin e Lushnjës dhe qytetet e tjera.

Është duke punuar për të parë se çfarë i ka shtyrë autorët që të kryenin këtë akt, e të gjuanin me breshëri plumbash. Ata kanë qëlluar nga një makinë tip golf. Mësohet se 40-vjeçari ka qenë i ulur në tavolinë me disa të tjerë, në ambientet e lokalit. Ashtu sikundër thashë, postblloqe të shumta policore janë ngritur në hyrjen e daljen e Lushnjës. Po kontrollohen lagjet e qytetit dhe automjetet tip “Golf”.

Sigurisht gjatë orëve në vijim pritet që ngjarja të zbardhet. Me aq sa kemi arritur të mësojmë, Muçaj mund të jetë përfshirë më parë në ngjarje që kanë ndodhur jo në qytetin e Lushnjës, po në qytete të tjera”, u shpreh gazetari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb