Detaje të reja janë mësuar në lidhje me atentatin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Sarandë ku humbi jetën 66-vjeçari Rexhep Ismaili.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se autorët lëviznin me dy automjete të dyja tip Audi, por janë larguar me vetëm një makinë, duke “ braktisur” automjetin tjetër përballë biznesit të viktimës.
Shkak për këtë mund të jetë bërë edhe shkëmbimi zjarrit që ka ndodhur në vendngjarje.
Autori i dyshuar i vrasjes Lulzim Tabaku bashkë me persona të tjerë shkoi në lokalin në pronësi të vëllezërve Ismaili për t’u sqaruar për një konflikt të mëparshëm.
Fillimisht autori ka debatuar me 66-vjeçarin dhe më pas janë përleshur fizikisht. Dyshohet se Rexhep Ismaili ka marrë një armë zjarri automatike dhe ka qëlluar drejt grupit të personave me të cilët u konfliktua, por kundërpërgjigjja ishte e menjëhershme. Lulzim Tabaku qëlloi me një plumb në kokë Rexhep Ismailin, i cili ndërroi jetë menjëherë në vendngjarje.
Policia e Sarandës bën të ditur se i plagosur mbeti edhe një person tjetër që shoqëronte Lulzim Tabakun autorin e dyshuar të vrasjes, por deri tani askush me plagë arme nuk është paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
