NË SHËNJESTËR

Plumbat në vitet e fundit nuk ka qenë tinëzar vetëm ndaj rivalëve, por edhe ndaj të rinjve të pafajshëm, të cilët kanë paguar padrejtësisht haraçin e të afërmve të tyre.

Të rinj që mbi epitafin e tyre mbajnë të shënuar edhe sot mbishkrimin e pafajësisë

dhe që po treten në dhe, duke vazhduar ende të kërkojnë drejtësi.

Mario Majollari duhet të ishte sot 30 vjeç dhe të vazhdonte të gëzonte rininë e tij, por ai vra pabesisht mbrëmjen e 10 prillit 2019, në një nga lagjet periferike të Tiranës.

Një vrasje e cilësuar e pabesë, e cila shkaktoi shumë zhurmë edhe në opinionin publik të kohës. Madje, duke shkuar deri aty, sa trazoi edhe politikën e ditës.

Jo vetëm për faktin se si një i ri u qëllua urryeshëm në errësirën e natës, por edhe sepse shteti shqiptar i kishte siguruar jetën atij dhe familjes së tij, pavarësisht se ndiheshin të kërcënuar nga hasmi i tyre.

Kjo, pasi shteti shqiptar, i kishte dërguar letër-porosi shtetit suedez, ku i kërkonte t’i refuzonte azilin Marios, pasi sipas autoriteteve tona, Shqipëria ishte një vend i sigurt. Gjë që në fakt nuk rezultoi aspak e tillë. Pasi Mario, u vra vetëm pak kohë pasi Suedia e riatdhesoi, nga një dorë të cilës, ai dhe familja e tij i ruheshin prej kohësh.

E njëjta dorë sipas akuzës së familjes që e kishte shtyrë të riun të emigronte jashtë vendit, por cila ishte këmbëza që shkrepi armën mbi Marion dhe pse pas tre vitesh, për këtë ngjarje, nuk ka asnjë person në bankën e të akuzuarve.

Kush janë hasmit e familjes Majollari dhe si nisi përplasja me armë që fundin e pati në plumbat ndaj Marios. Tri vite pa Marion, nëna e tij, Naile Nela, rikthen për emisionin “Në shënjestër” edhe njëherë momentet e fundit me të birin.

Ato pak momente të lumtura, por të paçmuara, që kanë mbetur jo vetëm në kujtimet me të, por edhe me sendet e tij, të shpërndara nëpër shtëpi.

787878
787878

Naile Nela- nëna e Mario Majollarit

“3 vite pa Marion… Akoma nuk e besoj që nuk e kam, ti e shikon që unë nuk kam asnjë fotografi se nuk mundem, sepse besoj që një ditë do ta shoh, atletet e tij prapë te korridori, thonë që koha shëron plagët. Nuk është e vërtetë që koha shëron plagët, koha shton mallin për atë, koha të shton mallin që t’i marrësh erë, ta përqafosh, nuk është e vërtetë kurrë që koha shëron plagët. Unë prapë s’do ta besoj. Unë nxjerr videot e atij që t’i dëgjoj zërin. Kurrë se besoj që nuk është. Nuk e meritonte Mario të mos jetë në këtë botë. Nuk i kishte bërë keq askujt. Ai ishte një fëmijë i ëmbël, të jepte qetësi. Unë gjithmonë i thosha Mario ti je oksigjeni im, unë pa ty do të vdes. Kur vija nga puna më thoshte kam nevojë për dashurinë tënde. Ai paska thënë këtë se Zoti do ta merrte. Mi hidhte krahët dhe unë i merrja erë te gusha. Më mbushej shpirti, më ikte lodhja. Nuk e di, e mendoj gjithmonë, nuk e di si do ta shtyj jetën pa atë, nuk  e di. Xhesit i kërkoj 100 herë falje. Nuk është se nuk e mendoj Xhesin, vajzën. Xhesi mund edhe të më kuptojë. Ajo u rrit para kohe”.

Po kush ishin personat që e gjurmonin Marion dhe pse sipas familjes kishin zgjedhur të hakmerreshin ndaj tij. Gjithçka duket se nis në nëntor të vitit 2000.

Pasditen kur Avni Majollari, babai i Marios dhe nipi i tij, Endrit Majollari, u akuzuan për vrasjen e dyfishtë të Ilir Gjuzit dhe Armand Nelajt.

Një histori e komplikuar që edhe sot mbetet e mbuluar nga misteri, por që sipas shtypit të kohës, gjithçka nisi me një sherr midis Avni Majollarit dhe Armando Nelaj. Të dy ortakë në biznesin e makinave, por që ndërkohë kishin qenë edhe rreth i ngushtë familjar midis tyre.

Kjo, pasi Avni Majollari kishte qenë i martuar me Nailen, kushërirën e Armand Nelaj. Martesë nga e cila kishin ardhur në jetë, edhe dy fëmijë, Mario dhe Xhesila.

Lidhje që kishte përfunduar vetëm pak kohë para se Avni Majollari dhe nipi i tij të kryenin brenda një dite krimin e dyfishtë, ku i pari që mbeti i vrarë ishte Ilir Gjuzi, i njohur edhe si komisari i Nehat Kullës, një prej të fortëve të Tiranës së kohës, fatkeqësia e të cilit ishte se u ndodh në vendin dhe kohën e gabuar.

Në sherrin midis dy ortakëve, ku Gjuzi thuhet se ndërhyri për të ndalur grindjen, por që mbeti vetë i pari i vdekur nga tërbimi i plumbave të derdhur nga Avni Majollari. Ndërkohë që i tmerruar nga ajo që ndodhi Armand Nelaj, mundi t’i shpëtojë të paktën përkohësisht plumbave, por vetëm për momentin.

Pasi tri orë më pas, ai u gjet i vrarë në periferi të Tiranës, ku thuhet se Avni Majollari e kishte pikasur ku fshihej dhe e kishte eliminuar.

Ndërsa një tjetër version rrëfen se sherri kish nisur pasi Avni Nelaj akuzonte Armand Nelaj si shkaktar të problemeve të tij me ish-bashkëshorten, Nailen.

Naile Nela, nëna e Mario Majollarit

“Kam qenë në shtëpi, kur kam marrë vesh që është vtarë. babi im me të atin e Armandit janë çuna xhaje. Aty mora vesh ai, i ati Marios. Arsyet nuk i di, arsyet i dinë ato të dy se për ça, por në atë kohë u lakua emri im sikur isha unë shkaktarja e grindjes. Nuk është e vërtetë. Është logjike, do futet kushëriri që ça më kishte mua, gocën e çunit xhajës babit edhe pse pas 3 vitesh, kur ndërkohë ai ishte martuar dhe ishte bërë më fëmijë. Kështu që nuk është e vërtetë që është vrarë për mua. Mbase kanë përdorur emrin tim për të arritur qëllimin e tyre, por jo për mua. Nuk i kam kërkuar askujt asgjë. Në jemi rritu, ishim 6 goca i kemi dalë për zot vetë vetes tonë, nuk i kam kërkuar askujt ndihmë. I kam dalë vetes për zot. Janë fjalë boshe, justifikim më tepër mos t’ju prishet imazhi që janë vrarë për dikë tjetër. Ndërkohë Armand Nela ka qenë në rreth të kuq nga policia, u kërkonte nga policia”.

Vrasja e Ilir Gjuzit dhe Armand Nelajt, nga ish-bashkëshorti, sigurisht që nuk do të kalonte pa u shqetësuar te Naile Nela.  Ajo mohon ‘Në shënjestër’ që të ketë qenë shkaku i përplasjes midis ish-bashkëshortit, Avni Majollari dhe kushëririt të saj, Armand Nela.

Mamaja e Marios thotë se ka qenë e martuar me Avni Majollarin nga viti 1989 deri në vitin 1997. Ndërkohë që janë divorcuar ligjërisht në vitin 2001.

Ku pavarësisht se ishte divorcuar nga bashkëshorti i saj, ajo do të ruante frikën e një hakmarrje të mundshme pas vrasjes që ai kreu, i cili menjëherë pas krimit, iu fsheh drejtësisë. Por që ndërkohë paralelisht kishte marrë masat për t’u kujdesur për familjen e tij të re që kishte krijuar pas ndarjes me nënën e Marios të cilën e kishte zhvendosur në Itali, gjë të cilën nuk e bëri me Marion, që e la në shënjestër të hakmarrjes.

Vetëm 14 vite pas ngjarjes, policia mundi të prangosë Avni Majollarin, i cili sot vuan dënimin me burgim të përjetshëm, por që prangosja e tij nuk do t’i shpëtonte jetën të birit.

Naile Nela- nëna e Mario Majollarit

“Para se të kapej i ati, nuk kishim asnjë lloj frike dhe unë prandaj kam qëndruar këtu, sepse jemi jashtë kësaj historie. Në momentin që u kap i ati, këto filluan të lëvizin, madje ai krimineli që e vrau bashkë me kunatin, Xhesi në atë kohë ishte në shkollë. Ajo i tha Mario të shkonte t’i fotokopjonte, doli Mario dhe ato e kanë gjurmuar me makinë. Aty dhe Mario me thënë të drejtën u tremb që iku.”

Siç tregon më lart në dëshminë e saj nëna e Marios, gjurmimi për vrasjen e të birit, kishte nisur që në vitin 2014, kohë që përkon me arrestimin e të atit.

Ndërkohë që Mario në momentin e kryerjes së vrasjes së dyfishtë nga babai i tij, kishte qenë vetëm një fëmijë i pafajshëm 8-vjeçar, por edhe pse e dinin që në të gjithë këtë histori ishin të pafajshëm, nëna e Marios, tregon se familja e saj nuk ishte më e qetë.

As Mario, që tashmë e kishte marrë vendimin për t’u larguar nga Shqipëria. Ndërkohë që marrëdhëniet me babain, tashmë të arrestuar, ishin të ndera.

Naile Nela- nëna e Mario Majollarit

“Pas divorcit nuk pata sepse ai krijoi familjen tjetër, plus ai nuk vinte t’i merrte fëmijët. Ndodhi dhe vrasja. Ky rrinte i fshehur ndërsa familja e tij u largua në Itali.

Shkoi një herë për të marrë vesh tek rajoni nr.3, aty shkoi për të zbuluar nëse ishte e vërtetë apo jo, sepse me thënë të drejtën edhe i trembej kësaj gjëje. Pastaj Mario mori vendimin dhe iku, për tre ditë iku.”

Po përse Mario u largua nga Shqipëria dhe pse shteti suedez e riatdhesoi, pavarësisht kërcënimeve për jetën që ai kishte paraqitur në vendin e tij të origjinës dhe cili ishte roli i shtetit shqiptar në kthimin e tij në atdhe.

Anders Hedqvist, i cili ishte menaxheri i vendndodhjes së strehimit të azilkërkuesve dhe që mbante kontakte të vazhdueshme me Marion, në kohën kur këtë e të fundit e kthyen në Shqipëri, tha pasi mësoi vrasjen e tij se 28-vjeçari ishte vendosur në Suedi gjatë procesit të njohjes së azilit.

Hedqvist kritikoi në atë kohë Bordin e Emigracionit në Suedi se nuk mori vendimin e duhur duke i mohuar azilin.

Edhe pse në maj të vitit 2014, 28-vjeçari aplikoi në Suedi për leje qëndrimi, por që nuk iu pranua pavarësisht se ai tregoi se i kërcënohej jeta që në momentin kur i ati u arrestua.

Anders Hedqvist

“Ai thoshte gjithë kohës se nëse do e kapnin do e vrisnin. Edhe pse në maj të vitit 2014, kishte aplikuar në Suedi për leje qëndrimi, kërkesa nuk iu pranua pavarësisht se tregoi se i kërcënohej jeta që në momentin kur i ati u arrestua. Në gusht 2015, Bordi i Emigracionit nuk pranoi kërkesën. Edhe pse Mario apeloi, kërkesa sërish nuk iu pranua.

Madje as Gjykata e Lartë e Emigracionit nuk pranoi kërkesën e tij kështu që Mario u kthye në Shqipëri në pranverën e vitit 2016. Ai tha se nuk mund të qëndronte në Shqipëri dhe se do të gjente një vend  tjetër për të jetuar.”

Sipas mikut të tij, Mario pavarësisht refuzimit të azilit në Suedi, kishte vendosur të mos jetonte në Shqipëri.

Anders Hedqvist, rrëfente në atë kohë që kishte vijuar të mbante kontaktet me Marion, pas kthimit të këtij të fundit në atdhe.

Madje biseda e fundit me të kishte qenë përmes ‘facebook’, ku e kishte pyetur si po i venin punët.

Anders Hedqvist

“Ai tha se nuk mund të qëndronte në Shqipëri dhe se do të gjente një vend tjetër për të jetuar.

Bordi suedez i emigracionit nuk mori vendimin e duhur. Gjykata e Emigracionit në Gothenburg vendosi të mos pranonte kërkesën sepse u konsiderua se ai nuk kishte evidenca të besueshme se po kërcënohej nga gjakmarrja në Shqipëri. 

Gjykata iu referua informacionit rreth Shqipërisë, dhe kishte arritur në konkluzionin se pavarësisht nga mangësitë ekzistuese në përgjithësi Shqipëria mund të ofronte mbrojtje kundër gjakmarrjes”.

Vrasja mizore e Mario Majollarit në Shqipëri, bëri jehonë edhe në median suedeze të kohës të cilat u interesuan edhe në lidhje me vendimin që çoi në refuzimin e kërkesës së Marios për azil.

Gjykata, sipas shtypit suedez, u kishte besuar informacioneve të përcjella nga autoritetet shqiptare se vendi ishte i sigurt dhe se nuk paraqitej asnjë rrezik i mundshëm për jetën e Marios.

Gjykata e Migracionit Gotheborg

“Pavarësisht mangësive aktuale, sistemi gjyqësor në Shqipëri mund të ofrojë mbrojtje për konfliktet e gjakmarrjes.”

Ndërsa zëdhënësja për shtyp e Bordit të Migracionit, Irene Sokolow, tha se ajo që kishte ndodhur në Tiranë ishte tragjike, avokati i tij në Suedi, fajësoi edhe gjykatën për atë që kishte ndodhur me Marion.

Maravgi Staifo- Avokati i Mario Majollarit në Suedi

“Fatkeqësisht ju nuk e besuat dhe menduat se mund të merrte mbrojtje në Shqipëri. Kjo është një provë e qartë se Mario kishte të drejtë në pretendimet e tij, por fatkeqësisht ju i refuzuat gjyqin.”

Naile Nela- nëna e Mario Majollarit

“Fillimisht shkoi në Itali, pastaj iku në Suedi dhe kërkoi azil, po nuk ia dhanë. I thanë që Shqipëria është një vend i sigurt dhe mund të shkosh. Ai iu tha se ndihej i kërcënuar, ato e pyetën nëse kishte bërë denoncim në polici. Faktikisht Mario nuk kishte bërë denoncim në polici sepse ne nuk kishim njerëz. Mario ishte informuar shumë mirë se ato kishin njerëz gjithandej dhe tha nëse shkoj në polici do ta acaroj më shumë gjendjen. Mario ishte pa njeri dhe ato prandaj e bënë këtë gjë se e dinë shumë mirë se nga ne nuk ka kush të marrë hak.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb