Pierre-Emerick Aubameyang është zyrtarisht futbollist i Arsenal.

Pas largimit të Alexis Sanchez Arsene Wenger ka arritur të bëjë transferimin e madh në “Emirates” duke paguar te Borussia Dortmund shifrën e 57 mln stërlinave. Me këtë shifër gabonezi është shndërruar në futbollistin më të shtrenjtë në historinë e “topçinjve”, duke kaluar në vendin e dytë Lacazzete i cili në verë u ble për shifrën e 52.7 mln stërlinave.


Aubameyang është kapiteni dhe njëkohësisht golashënuesi më i mirë i Gabonit. Ai gjithashtu është lojtari i parë nga ky vend që fiton çmimin e lojtarit më të mirë të Afrikës, në vitin 2015. Arsenal sqaron se numri i futbollistit do të zbulohet së shpejti.

Me Borussia Dortmund në ‘Bundesligë’ Aubameyang ka realizuar 98 gola në 144 ndeshje, ndërsa në të gjithë kompeticionet 172 gola në 213 ndeshje.

Për largimin e Aubameyang ka reaguar edhe klubi gjerman, me drejtorin sportiv Michael Zorc i cili ka shkruar: “Përveç ngjarjeve të pakëndshme të javëve të fundit, ne dëshirojmë të kujtojmë se historia e Pierre-Emerick Aubameyang në BVB për më shumë se katër vjet ishte një histori e suksesshme. Ka bërë gjëra të mëdha për Borussia Dortmund në këtë periudhë, shënoi shumë gola të rëndësishëm dhe është pjesë e ekipit që solli Kupën e DFB në Dortmund në 2017. Ne i urojmë Aubameyang gjithë të mirat në të ardhmen te klubi i Arsenal.”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: