Mbrëmjen e kësaj të diele në “Dola te Ola” ishte e ftuar artistja aq e dashur për të gjithë Aurela Gaçe. Një program i veçantë dhe i dedikuar Aurelës, ku përveç rrëfimit të rrallë, nuk mungoi muzika e mirë.

Siç është bërë me dije më herët Aurela Gaçe po punon për albumin e saj të shtatë, dhe po na njeh dalëngadalë me këngët e tij. Deri më tani ajo ka publikuar 6 këngë, dhe programi nisi me një kolazh përmbledhës, për të risjellë edhe njëherë në kujtesë këngët e veçanta të artistes.

Këngëtarja vetëm pak ditë më parë publikoi këngën “Djali i im i keq”, të cilën zgjodhi ta promovojë në “Dola te Ola”. Ajo foli në program për këngët e albumit të saj dhe tregoi detaje rreth bashkëpunimeve që ka patur me kompozitorët dhe me ata që punojnë me të. Aurela theksoi se në çdo këngë të re zgjedh të vijë ndryshe te publiku dhe ashtu si ata nuk e kanë parë më herët.

Suksesi i saj është i padiskutueshëm, dhe në “Dola te Ola” një pjesë të tij ia dedikoi bashkëshortit të saj, i cili kujdeset që çdo gjë të jetë ashtu si duhet para se ajo të dalë në skenë. “Nuk do të doja të kisha për asnjë moment dikë tjetër përveçse atë, përmbush gjithçka kisha ëndërruar, vërtet unë këndoj por është ai që kujdeset për gjithë pjesën tjetër, nuk lejon që unë të dal më pak seç duhet”, tha ajo.

Aurela interpretoi në studion e “Dola te Ola” këngën “Një pikë”, të cilën ajo nuk e ka sjellë te publiku më një klip të mirëfilltë, ndaj për herë të parë zgjodhi ta këndojë ‘live’ në programin e kësaj të diele, me dëshirën që të gjithë ta shijonin këtë këngë të bukur dashurie..

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb