AUSTRALI – “Ekziston një histori jo shumë e njohur për myslimanët dhe hebrenjtë që gjatë Luftës së Dytë botërore ndihmuan në krijimin e një kodi nderi, i cili ekziston ende,” bën të ditur e përditshmja australiane “Nju Deili”.

Një ekspozitë e re, e cila do të hapet në Australi, do të tregojë më tepër rreth faktit sesi myslimanët shpëtuan jetën e shumë hebrenjve në Shqipëri gjatë luftës së dytë botërore. Në ekspozitë do të tregohen fotografi te realizuara nga fotografi Norman Gershmen, i cili shpenzoi 4 vjet duke fotografuar heronjtë dhe të mbijetuarit e Holokaustit në Shqipëri.

Kjo ekspozitë është pjesërisht një përpjekje për të luftuar rritjen e islamofobisë në botën perëndimore, siç janë edhe incidentet e fundit të anti-semintizmit si për shembull sulmi në supermarketin hebre në Paris pas masakrës në redaksinë e gazetës “Sharli Hebdo”, shkruan më tej gazeta australiane.

“Ekspozita ka për qëllim të tregojë humanizmin e përbashkët që ne ndajmë dhe të kundërshtojë paranojën ndaj Islamit”-është shprehur fotografi Gershman. Teksa vendet e tjera europiane të pushtuara nga nazistët dhe që popullsia e tyre hebreje u dërgua në kampet e përqëndrimit, Shqipëria i rezistoi urdhërave të Adolf Hitlerit dhe refuzoi t’i dorëzojë qytetarët e saj hebrenj.

Një lëvizje e tillë ndihmoi në krijimin e një kodi etik në Shqipëri të quajtur “Besa” i cili vazhdon të mbijetojë edhe sot. Qeveria shqiptare bëri të mundur që shumë familje hebreje t’iu mundësojë letra false në mënyrë që të mos jetojnë në fshehtësi dhe i hapi kufijtë për refugjatët herbrenj. Asnjë nga hebrenjtë shqiptarë nuk u dërgua në kamp përqëndrimi. Shqipëria, një vend i vogël i ndodhur mes Greqisë dhe Maqedonisë ishte i vetmi vend europian që përjetoi një rritje të popullsisë çifute gjatë Luftës së Dytë Botërore, përfundon gazeta.

(ar.sh/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb