Qindra persona kanë protestuar në Melbourne për vendosjen e vaksinimit të detyrueshëm për punëtorët e ndërtimit në shtetin australian Victoria, ku edhe më tej kërcënon varianti Delta i COVID-19.

Qeveria e Victoria-s ka njoftuar se puna në sektorin e ndërtimit në kryeqytetin e shtetit Melbourne dhe Ballarat, Geelong, Surf Coast Shire dhe Mitchell Shire do të pezullohet për dy javë nga sot dhe se vaksina kundër COVID-19 është e detyrueshme për të gjithë punonjësit në këtë sektor.

Qindra demonstrues të mbledhur në Melbourne reaguan ndaj vendimit të Qeverisë për vaksinimin e detyrueshëm.

Protestuesit u mblodhën para Unionit për ndërtimtari, pylltari, çështje detare, miniera dhe energji (CFMEU) dhe Parlamentit të Victoria-s, i cili mbështeti vendimin e qeverisë.

Të tubuarit kërkuan heqjen e masave kundër COVID-19, duke mbajtur parulla me mbishkrimet “Liri”, “Fund i ndalimeve” dhe “Jo vaksinave”.

Protestuesit brohoritnin parulla kundër kryeministrit të Victoria-s, Daniel Andrews, për të cilin ata besojnë se është përgjegjës për vendimin për vaksinimin e detyrueshëm. Policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës kundër protestuesve, të cilët në paralajmërimin për t’u shpërndarë u përgjigjën duke hedhur objekte të ndryshme.

Protestuesit, të cilët mbajtën protesta në pjesë të ndryshme të qytetit, bllokuan trafikun në rrugët kryesore që çojnë në qendër të Melbourne-s. Policia arrestoi disa protestues.

Protestat, të cilat po mbahen nën masa të rrepta të sigurisë policore, pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb