*BIRN-Erjona Rusi, Moritz Gottsauner-Wolf, Lawrence Marzouk

Prokuroria austriake po heton për korrupsionin e kompanisë Alpine në Shqipëri.
Në një artikull të ‘BIRN’ shkruhet se, kompania tashmë e falimentuar austriake ‘Alpine Bau’, e kontraktuar për ndërtimin e rrugëve Levan-Vlorë, Levan-Tepelenë i ka paguar 500 mijë euro ryshfet një zyrtari shqiptar. Pikërisht mbi këto akuza po hetojnë prokurorët austriakë Dietmar Aluta-Oltyan, pronarin e Alpine Bau, i cili dyshohet se ka përdorur një kompani fantazmë në Qipro të quajtur Windforce Estate Limited.
Akuzat përputhen me provat e publikuara nga ‘BIRN’ dhjetorin e kaluar që tregojnë se firma austriake, e cila falimentoi në qershor të 2013-ës, ka bërë disa pagesa të dyshimta ndaj të njëjtës kompani misterioze konsulence gjatë vitit 2012.

Një zëdhënës i prokurorisë austriake tha për ‘BIRN’ se hetimi ka nisur këtë verë ndaj 7 drejtuesve të Alpine Bau, përfshirë edhe Aluta-Oltyan, të cilët akuzohen për përvetësim parash dhe dhënie ryshfeti.

“Kemi dyshime se nuk patur asnjë shërbim për pagesat që i janë bërë kompanisë Windforce Estate Limited dhe këto pagesa janë përdorur pjesërisht për të korruptuar zyrtarët shqiptarë”-ka deklaruar zëdhënësi i prokurorisë austriake.

Prokurorët austriakë pretendojnë se, pagesa e bërë në vitin 2009 ka lidhje me marrëveshjen prej 28 milion euro të ‘Alpine Bau’ për ndërtimin e segmentit Dames-Tepelenë në Shqipëri. Sipas revistës austriake Kurier, kompania e fitoi tenderin pavarësisht se nuk kishte paraqitur ofertën më të mirë. Kontrata e nënshkruar në vitin 2008 parashikonte që rruga të përfundonte në 2011-ën. Por projekti u shoqërua me vonesa të panumërta dhe arriti të përfundojë vetëm këtë vit me një kosto shumë më të madhe. Brenda 2011-ës, kostoja e rrugës ishte 6 milion euro më shumë, sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Zëdhënësi i prokurorisë tha se informacioni fillestar për hetimin ka dalë fillimisht nga një cështje gjyqësore në Vjenë, ndërsa prokurorët po shqyrtojnë të gjitha informacionet e publikuara nga BIRN.
Ndërkaq vetë kreu i Alpine Bau ka mohuar akuzat. Avokati i tij ka deklaruar për revistën austriake Kurier se Aluta-Oltyan nuk ka qenë i përfshirë në marrëveshjen shqiptare, përveçse ka marrë dy emaile
“Alpine ishte ofertuesi më i mirë. Pagesa nuk ishte aspak rryshfet por shëerbeu si pagesë për një nënkontraktor grek i cili morri përsipër projektin” –ka thënë avokati.
Hetimi i ‘BIRN’, i publikuar në dhjetor të vitit të kaluar, zbuloi se dega në Shqipëri e Alpine Bau transferoi 1,4 milion euro tek kompania offshore në Qipro Windforce Estate Limited në vitin 2012. Një raport i auditimit nga Deloitte, i siguruar nga BIRN, që vë në pikëpyetje këto transferta, thotë se Windforce nuk ka dhënë asnjë provë të punës së kryer. Dhe si rezultat Alpine Bau dështoi në auditimin e Deloitte për vitin financiar 2012.
Pagesat e bëra ndaj Windforce përgjatë 2012-ës u bënë për “asistencë këshillimore dhe material gjatë takimeve, diskutimeve apo mbledhjeve” , sipas faturave të siguruara nga BIRN.

Pronari i vërtetë i Windforce ende nuk dihet por sipas raportit të Deloitte, personi që ka marrë pagesat dhe i vetmi aksioner i kompanisë ka vdekur në një spital në Greqi në prill të 2013-ës. Si rezultat, firma nuk ka dhënë detaje të tjera për shërbimet që ka bërë për Alpine në Shqipëri.

Apostolos Christellos, një prej figurave drejtuese të Alpine Bau, I përfshirë në këtë projekt dhe mik i Dietmar Aluta-Oltyan, vdiq në Greqi në 29 mars të 2013-ës.

Antonios Papantoniou, një avokat qipriot dhe drejtori aktual si dhe pronar i Windforce Estate tha se menaxhon mbi 500 firma kështu që nuk ka dijeni se kush ishte pronari i vërtetë.

Christellos ka qënë kreu i Alpine Bau në Greqi dhe ishte i përfshirë drejtpërdrejt në negociatat për rrugën Dames-Tepelene mes Alpine Bau në Austri dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve në vitin 2012 që në atë kohë drejtohej nga Andi Toma.
Gjithsesi prokurorët austriakë ende nuk kanë konfirmuar nëse Christellos është i përfshirë në këtë çështje.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: