Territoret shqiptare nuk po jetonin asnjë minutë të qetë, qoftë nga Perandoria e tyre, qoftë nga ushtritë sllave brenda saj, që do të thotë se klasa feudale përgjegjëse para fateve të ekzistencës së kombit të vet, shihte ekzistencën e saj. Familjet e mëdha nuk po shihnin një orë të qetë, veç organizimeve dhe luftrave që nisnin e vazhdonin papushim. Mustafa Bimo Kaninën gjysma e shek. 19 e gjeti të vetëm mes luftrash duke u përpjekur të udhëhiqte, të luftonte, të përgatiste bijtë e vet, të bashkrendonte veprimet luftarake me prijësit e tjerë luftarakë të Kazasë së Vlorës nga njëra anë dhe nga ana tjetër të përballesh me Portën e Lartë, gjyqet, konfiskimet e pasurive, heqjen të drejtës së ushtarakut të fituar me aq mund.

Të gjithë rininë e kish tërhequr si një kalë peshën dhe problemet e mbiemrit Bimo, pasi i vëllai Zenjel Bimo Kanina, ishte zhdukur qysh 12 vjeç, fakt që bëri sipas zakonit të dyerve të mëdha, sarajet lyeshin me ngjyrë të zezë në një garniturë rreth dritareve. Por pas 25 vjetësh harresë shfaqet një karvan prej 5 njerëzish nga skela për në Kaninë me një veshje  të kushtueshme dhe natyrisht kërkuan sarajet. Në pritjen kryesuar nga një numër i madh antarësh, Mustafa Bimo Kanina merr vesh se i vëllai Zenjel jetonte. Ai tashmë ishte një nga tre gjeneralët më të mëdhenj të ushtrisë egjiptiane të shqiptarit Mehmet Ali Pasha, por më e habitshme ishte kërkesa që po përligjte udhëtimin e gjatë me anije e karvanë. Kërkohej nga gjenerali një qyp me mjaltë Kanine 5 vjeçar, ku në këto kushte ruajtje ai trashet në një masë të tillë viskoze. Jashtë çdo realiteti shqiptar  tërë mosbesim Mustafa Bimo Kanina niset me karvanin dhe pas ditëve mbërritën në Egjipt, ku një ushtri e tërë po priste delegacionin. Pas rrugëtimit me deve mbërritën të territoret e të vëllait me ushtrinë që ruante mjaltin-thesar, i cili e paraqiti në senat me rroba shqiptare gjë që i habiti të pranishmit. Gjatë kohës që bisedohej, Mustafain e prezantuan me veshje të shtrenjtë të aristokracisë së atjeshme dhe nga goja e të vëllait dëgjoi ngjarjen të cilën nuk e dinte njeri.

Ditën që u zhduk  kishte dalë qysh në mëngjes me barinjtë në pllajën e malit të Shashicës dhe shihte atë mëngjes anijet me vela që hynin e dilnin në skelë, kur e kish zënë gjumi dhe në ëndërr shihte veten duke lundruar botës. Menjëherë u zgjua dhe drejt e në skelë gjeti një anije, ku hypi fshehtaz, por ishte kapiteni që e quajti ndonjë keqbërës. Pasi e pyeti dhe mori përgjigjen e ëndrrës e la në anije dhe pagën ditore ja ruante në një arkëz. Misirin (Egjipti) e quajti të përshtatshëm dhe zbriti së bashku me kursimet. Kur pa një ushtri lypsarësh u tremb, por u ambjentua me vështirësi dhe për ti shpëtuar kurthit endacak, u regjistrua xhandar pas pak kohe. Gradë pas grade arriti kreun e ordës së Misirit (ushtrisë osmane të Egjiptit)  fakt që e preku i vëllai më i madh, Mustafa. Pas një qëndrimi përrallor kudo deri viseve të Detit të Kuq i  vëllai kaninjot duhet të kthehej ndërsa vëllai i Misirit nuk mund të ndërronte arritjet me vendlindjen. Kishte dhe një mision tjetër. Veç asaj që pa vëllai Mustafa, si dhe një pasuri të tërë që iu fal nga Misiri. Por si shkuan ngjarjet atje, nuk u morë vesh më. Por Eqrem bej Vlora, që i kish vizituar vendet e Misirit në fundshekullin 19-të tregonte gjithmonë vazhdimin e ngjarjes si dhe fundin e Zenjel Bimo Kaninës në Misir.

Mes takimeve me gjeneralë të lartë dhe gostive me ta, biseda binte për vendin e lindjes. Secili si i ardhur mburrte vendin e vet, por Zenjel Bimo Kanina ishte i vetëdijshëm dhe thoshte shpesh se në vendin tim egziston një mjalt, i cili nuk mposhtet dot as me pesë kana ujë. Të gjithë e merrnin për krenari si rëndom ndodh dhe u bë modë që dhe dy gjeneralët e tjerë të mëdhenj po thoshnin herë pas here gjepura të padëgjuara, si njëri i habiti të gjithë që në vendin e tij kishte një racë korbi krejt të bardhë, ndërsa tjetri e vazhdonte çudinë se në vendin e vet rritej një kalë i zi i rrallë që natën fluturonte dhe ditën ecte, natyrisht të pavërtetat e gostive. Pasi vunë bast, çdo njëri ishte i detyruar të sillte nga një ekzemplar dhe kaninjoti i ndershëm e i drejtë e pruri porosinë, mjaltin e vjetër. Pasi u dërgoi lajmëtar erdhi gostia e radhës tek kështjella e Zenjel Bimo Kaninës (diku nga ana e Sinait) dhe i zoti pas darke e shtroi në tavolinë mjaltin dhe ua spjegoi edhe me qypin përse bëhet i tillë pas kohësh. Pasi e provuan, u deshën disa lloje pijesh ekzotike të fuqishme që të lanin së paku gojën. Kaluan kohë dhe kaninjoti priste porositë e korbit të bardhë dhe kalit fluturues, kur në një gosti tjetër dhe në formën e shakasë gjeneralët e tjerë i thanë se ti fitove dhe ne ishim të detyruar të gënjenim. Qysh nga ai çast kaninjoti u shpalli luftë të dyve, kështu që ata e rrethuan së bashku me forcat në kështjellën e vet. Pritej një rezistencë e madhe, por nuk ndodhi asgjë e tillë. Zenjel Bimo Kanina hapi portat e kështjellës dhe brenda saj u dyndën të tre ushtritë duke luftuar. Ai arriti të mbyllte portat dhe zbrazi dy koburet në depot e barutit rreth e qark mureve deri tek dyert, kështu që një shpërthim i stërmadh shkaktoi një gropë që i gëlltiti të gjithë, duke lënë rrënojat dhe jo legjendët, por të vërtetën. Një obelisk gjigand me gjithë përshkrimin e ngjarjes gjendet në atë vend pranë rrënojave dhe pikërisht Eqrem beu, si mik i familjes dhe të birit, Osmën Bimo Kaninës, e tregonte tërë habi. Më 1953 pas rënies së mbretit shqiptar Faruk të Egjiptit, largohet dhe mbreti Zog si ambasada shqiptare atje, dhe shteti komunist i kohës për lidhjen e marrdhënieve diplomatike dërgoi atje Hysni Kapon, i njohuri i një pinjolli të vonë, të quajtur përsëri Osmën Bimo dhe i tregoi ngjarjen si zbulim. Kur tjetri iu përgjigj se e dinte, madje i tregoi dhe pjesën tjetër të ngjarjes, kreu komunist shprehu çudi si nuk i kish thenë për këtë gjë. Tjetri nënqeshi quke i thënë se nuk ishte pyetur për këtë gjë..

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb