Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve Gentiana Sula në rubrikën “Opinion” në News24 foli për hetimet për vrasjet në burgun e Spaçit.

“Përmes arkivave u bënë analiza të rëndësishme. Nuk mund të mos merrnim edhe dëshmitë e qytetarëve, dhe nga gjithë ky material i madh, kemi mbledhur 50 dëshmi. Është një pasuri  e madhe dokumentare dhe filmike. E gjitha kjo na solli material shtesë sa i përket fatit të pasqaruar të 44 qytetarëve që ne i kemi me emra. Janë rreth 4 vende të dyshuara për varre masive. Kemi bërë një vëzhgim paraprak dhe për këtë është vendosur edhe një hetim administrativ”, tha Sula.

Ndërkohë gjatë kësaj interviste, analisti Fatos Lubonja tha se hetimi duhet të kishte nisur shumë më herët, ndërsa shtoi se përveç ekzekutorit kishte edhe fotograf. Sipas tij gjatë gjithë kësaj kohë, janë tentuar të zhduken gjurmët.

“Jam kontaktuar si ish-i burgosur politik. Çështja që unë ngre është se varret e tyre nuk dihen. Njeriu që kam biseduar konkretisht ka qenë Ministri i Brendshëm Spartak Koçi. Ai më njoftoi se i kishte gjetur, e takova. Më tregoi se i kishin dhënë informacione disa persona. Shpesh përdorej termi ‘forcimi i zemrës’. Ne na kanë treguar fotografitë e tyre të pushkatuar. Aty ka pasur edhe një fotograf përveç ekzekutimeve. Mesa di fotografitë janë zhdukur, pra ka edhe një proces fshehjeve të gjurmëve. Kjo punë duhet të ishte bërë shumë herët”, tha ndër të tjera Lubonja.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb