Shkëputja e energjisë elektrike është regjistruar rreth orës 11:00 dhe ka zgjatur për rreth 30 minuta, duke sjellë edhe indinjatën e personelit, pacientëve dhe familjarëve të tyre. Burime bëjnë me dije për “News 24”, se ka pasur një avari me linjat elektrike, çka ka sjellë edhe shkëputjen e energjisë në qendrën spitalore më të madhe në vend.

Të kontaktuar nga “News 24”, ekspertët e energjisë u shprehën se problemi i krijuar është i pa pranueshëm, duke qenë se spitali është i pajisur me dy linja energjie elektrike, parësore dhe sekondare.

Sipas shpjegimit të tyre, nëse linja parësore pëson defekt, atëherë futen në funksion linjat sekondare. Në linjat sekondare përfshihen gjeneratorët dhe sistemi UPS, e thënë ndryshe mundësimi i energjisë nëpërmjet baterisë, që spitali nuk ka shumë kohë që ka hapur një tender dhe i ka në përbërjen e saj. Është ende e paqartë se përse këto sisteme linjash alternative nuk janë vendosur në funksion, duke krijuar avarinë prej 30 minutëshe.

Situata e krijuar është kthyer në një rrezik për pacientët që ndodheshin në dhomat e shërbimit, duke qenë se shumica e aparaturave nuk kanë funksionuar për minuta të tëra. Nga ana tjetër, edhe Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza e pranon shkëputjen e linjës elektrike, por sipas tyre, ka ndodhur për vetëm 10 minuta dhe furnizimi me energji është mundësuar në këtë interval kohor nëpërmjet gjeneratorëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: