Avokati i ish-Presidentit Hashim Thaçi, David Hooper ka kërkuar sot në Hagë që ish-presidenti të lirohet me kusht.

Në fjalën e tij gjatë seancës së dytë gjyqësore, Hooper tha se në dokumentet që i janë dorëzuar ka gjetur redaktime të çuditshme ku shkruhet edhe për sjelljen e keqe të të burgosurit.

Ai kërkoi edhe dorëzimin e dokumenteve të rregulluara brenda tre ditëve në mënyrë që kërkesa e tij të realizohet. Sipas Hooper, të katër të pandehurit duhet të ndahen dhe të gjykohen veçmas edhe pse janë në një çështje.

“Nuk e pranojmë për asnjë moment kriteret për burgosjen e z. Thaçi, kështu që në këto rrethana është synimi ynë që të aplikojmë për lirimin e tij me kusht… Çështja e parë është që ne duhet të kemi nxjerrje të plotë të kërkesës për urdhërarresti. Në këtë kërkesë ka disa redaktime të çuditshme… Nuk e di çfarë qëllimi kanë redaktimet e shumta aty”, ka thënë Hooper.

Avokati britanik ka shtuar se në dokumentin ku Prokuroria i kërkon Gjykatës të lëshojë urdhërarrest për Thaçin, pretendohet një sjellje e keqe e këtij të fundit.

“Në dokumentet që më janë dorëzuar, kam gjetur redaktime të çuditshme, ka pasur ndryshime emrash dhe fliste për një sjellje të keqe. Klienti im është sjellë keq? Kërkoj që brenda tre ditëve mundësisht të më dorëzohen dokumentet e plota sepse do bëj kërkesën zyrtare”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb