TIRANE- Avokati Ilir Malindi, i cili u arrestua pak ditë më parë se përndiqte gazetarin Sokol Balla tani i kërkon prokurorisë të ndjekë penalisht gazetarin, për fyerje.

Malindit i është dhënë masa detyrim paraqitje pasi përndiqte në mënyrë të vazhdueshme me mesazhe në celular gazetarin Sokol Balla.

Edhe pse prokuroria e Durrësit nuk ka nxjerrë një njoftim zyrtar për kallëzimin e avokatit në drejtim të gazetarit Balla, vetë avokati shprehet se i ka kërkuar organit të akuzës të fillojë hetimet për Ballën, për “fyerjet dhe shpifjen që më ka bërë në dinjitetin tim dhe të nënës sime nëpërmjet fjalëve poshtëruese, të cilat ndodhen në rubrikën e telefonit tim me emrin Sokol Balla në datat 6 dhe 7 Shkurt 2015”.

Avokati sqaron se, “Në datën 6 dhe 7 Shkurt 2015 me cilësinë e qytetarit dhe ndjekës i programeve të televizionit “Top Channal” në emisioni Top Story të gazetarit Sokol Balla ju drejtova këtij gazetari me të vetmin qëllim që të më shpjegonte se për se e ndërpreu ambientalistin Sazan Guri kur ai cënoi shtetin grek, i cili kishte hapur digat e hidrocentraleve në ndërtim, sipas një marrëveshjeje me shtetin shqiptar, për devijimin e lumit Vjosa, gjithnje sipas Sazanit dhe që Shqipëria e Jugut u përmbyt nga Vlora, Fieri etj. Gjithnje mendoja se gazetari Sokol Balla do të më përgjigjej njerëzishëm duke qenë se ai është person publik dhe qënia në ketë detyrë presupozon edhe pyetje apo dhe diskutime nga shikuesit shqiptarë, të cilët kërkojnë sqarime. Siç edhe i kini parë në mesazhet që kam shkëmbyer me Sokol Ballën përgjigjet e tij ishin skandaloze dhe fyese”.
Avokati sqaron më tej se ka qenë vetë gazetari ai që i ka dhënë numrin e telefonit në shtator të 2014, teksa në një takim i ishte prezantuar si ndjekës i emisionit. 62-vjecari Malindi tregoi se gazetari i kishte thënë ti shkruante për vërejtjet që kishte.

“Unë e ndërpreva lidhjen me të mbasi me ato që shkruante ai tregonte se nuk ishte normal nga koka. Unë komunikoj me shumë gazetarë dhe kam shkruar vazhdimisht nëpër gazeta, por asnjë gazetar i njohur apo i panjohur nuk me ka poshtëruar kaq shumë sa ky njeri. Kurrë në jetë nuk kam patur ndjenjën e përndjekjes së një personi mbasi dhe nga natyra nuk jam provokator apo manjak seksual apo perves. Për këtë kërkoj prokurorisë të bëjë ekzaminimin psikiatrik të Sokol Ballës”.

Malindi sqaron edhe përmbajtjen e mesazheve që i ka dërguar pas publikimit të një videoje me përmbajtje seksuale të gazetarit Balla.

“I kam drejtuar tre mesazhe me aq sa më kujtohen, pasi telefonat e mi i ka prokuroria e Durrësit që janë:”A i ke parë videot se janë shumë interesante. Gjej një gur dhe mbytu, Si dhe turp, turp dhe se paska një Zot që merr hak për ato fyerje që më bëre dhe se e nxore surratin që ke, shprehje që e përdorim ne në Skrapar”,-shprehet avokati, ndërsa shton se: “Gjithnjë e theksoj se këto mesazhe ja dërgova për fyerjet që më bëri në muajin Shkurt 2015 dhe sidomos për nënën time 83 vjeçare që ishte një fyerje tejet poshtëruase dhe se po ta kisha para do të bëja ndonjë skandal”.

Po ashtu Malindi kërkon edhe fillimin e çështjes penale për shtetasin Ervin Hasrama shef i komisariatit të Policisë Durrës, për “Shpërdorim detyre” të kryer më shumë se një herë në bashkëpunim. Ai e akuzon se i ka shoqëruar nipin 7-vjeçar në komisariat.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: