Në programin “Dola te Ola” këtë diel ishte i ftuar aktori dhe regjisori i njohur Genc Fuga, i cili rrugëtoi nëpër kujtime me anë të fotografive dhe zbuloi detaje të pathëna nga jeta e tij.

Genc Fuga rrëfeu se babai i tij ka qenë drejtor i bazës ushtarake në Pashaliman. Ai tha se mban mend pak gjëra nga baza dhe nuk di shumë për të, pasi i ati ka qenë i mbyllur dhe nuk fliste për “shkollimin në Rusi, bazën dhe gjithë punën se tij”.  “Kur u larguan rusët nga baza e vetmja gjë që im atë shpëtoi dhe një ndër gjërat që fshehu kur u përjashtua nga partia, ishin veprat artistike, fotografitë e veprave artistike më të mira të ekuipazhit dhe shkollës”, tha ai.

Aktori i tregoi se babai dhe mamaja e tij janë njohur në qytetin e Vlorës, pasi i ati kishte kryer studimet në Shën Petërburg dhe pas karantinës së detyruar në Sazan.

Aktori foli në program edhe për mamanë e tij, e cila ka qenë drejtore në shkolla për rreth 21 vjet, e për 17 vjet vetëm në shkollën “Alqi Kondi”. Ai tha se edhe pse i biri i drejtoreshës, notat i merrte me meritë, teksa shtoi se falë saj arriti të ngjitej në skenë kur ishte vetëm 6 vjeç e gjysmë.

“Isha me fat që isha në atë shkollë pasi “Alqi Kondi” ishte një shkollë eksperimentale, ku u fut anglishtja që në klasën e dytë, ishte një shkollë me drekë, eksperimentale edhe për futbollin. Ishte shkolla ku kryeministri aktual ka kryer tetëvjeçaren së bashku me të vëllanë Olsin, i cili ka qenë në klasë me tim vëlla”, kujtoi ndër të tjera aktori me nostalgji.

Ndërkohë Genci tregoi se dëshira e babait të tij ishte që ai të bëhej inxhinier druri, ndërsa ai donte të provonte veten në regji. Ai tha se u fut në konkurs, por e priste edhe penalizimin pasi babai i tij në ‘89 ishte ende i përjashtuar nga partia.

“Nuk u penalizova se kisha në juri tre kolosë të skenës, Vangjush Furxhin, Agim Qirjaqin, Arben Imamin” tha ai, teksa tregoi edhe momentin kur pas 3 a 4 ditësh konkurs vajti të merrte përgjigjen. Genci tregoi se listën e publikuar, e cila përbëhej nga rreth 45 veta, nisi ta shihte nga fundi dhe nuk gjente emrin e tij. Nga konkursi do të përzgjidheshin vetëm 6 veta dhe duke lexuar listën, Genc Fuga kuptoi se ishte i dyti ndër ta.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: