Analisti i njohur, Fatos Lubonja, ka deklaruar se Prokuroria po tenton të mbyllë një ndër dosjet më të bujshme në vend, dosjen “184”, në të cilën janë të përfshirë zyrtarë të lartë socialistë në blerjen e votave, në zgjedhjet e pjesshme vendore në Bashkinë e Dibrës në shtator 2016, pas shkarkimit të Shukri Xhelilit, i cili u përfshi në një skandal seksual.

Në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, analisti Lubonja tha se vendimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të shpallur moskompetencë dhe për të dërguar dosjen për hetim në Dibër, është një tentativë e drejtësisë së kapur për ta mbyllur këtë dosje.

“Është pa koment fare, është e qartë. Një prokurori krejtësisht e kapur, instrumenti shtetit, e çon në Dibër që të mbyllet çështja. Këtu lind një problem shumë i rëndësishëm lidhur me Reformën në Drejtësi, që kush ka guxim atje në Dibër ta hapë këtë dosje. Prokuroria duhet të vepronte sot ndaj atyre që i shkatërruan pronat, ndaj Valdrin Pjetrit. Pse nuk ndërtojmë të gjithë hotele ne, ku i gjejnë këta paratë. Ky e ka pronën aty, e vë kryebashkiak. Ky është skandal, turp. Është një situatë që e dinë të gjithë”, ka deklaruar Lubonja.

Opozita e Bashës, qëndrimet e Metës, rikthimi i protestave në shtator …
Këto duhen parë, patjetër që duhet të jetë opozita. Nëse s’do ishte opozita, do dilte kjo e Valdrin Pjetrit? edhe sikur ta thonim ne, nuk e thonim dot. Duhet të ketë një opozitë, sepse është më e mbrojtur. Përtej denoncimeve, njerëzit mund ta mbështesin, por duhet të jetë më bindëse.

Opozita do largimin e Ramës…
Duhet një projekt afatshkurtër dhe afatgjatë, afatshkurtër që lidhet me denoncimet, i kombinuar me një projekt afatgjatë për një Shqipëri ndryshe, me vizion. Në Porto Palermo lexova që do bëjë një resort Rama, ndaj ja prish këtij. Çfarë logjike ka kjo? Këta nuk kanë besim as vetë në atë që bëjnë, marrin lekët dhe ikin. Aty ka luftuar Çezar me Pompeon, se ishte një bukuri natyrore, derisa erdhët këta që e bënë një masakër. Vetëm lekë duan, nuk mendojnë as për fëmijët e tyre. Injorancë, babëzi.

Si mund të ndalet?
Është pyetje e madhe. Është problem botëror, Shqipëria është banale sot, por problemi lidhet me planetin, që po e shkatërrojnë këta të babëziturit e mëdhenj. Këta janë surrogati i surrogatit të kësaj kulture, duhet të ndryshojë perceptimi botëror.

Ç’po ndodh në Itali …?
Kam qenë optimist për kthimin te komunitarizmi. Salvini për mua kishte diçka pozitive, që ishte vënia në ndryshim i kësaj Evrope, kishte një kritikë për ta ndryshuar. Por nga ana tjetër, kishte diçka të kundërt, sepse nga pikëpamja e programit ekonomik, ishte liberal. Po të merrje anët pozitive të të dyja palëve, mund të bëheshin. Sulmi që iu bë qeverisë nga kasta e vjetër, ishte shkatërrimtar. Ose e majta e sistemit, ose e djathta e Berlusconit, do bëjnë koalicion me qendrën. Ndoshta duhen rrugë të reja, për të zgjidhur problemet. Bashkimi i “5 stele” me PD është humbje totale.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb