TROPOJË- I ndërtuar për ti dhënë fund halleve të banorëve të Tropojës për ujë të pijshëm, ujësjellësi i ri po bën të kundërtën. Sikundër shprehen vetë banorët prej dhjetë ditësh rrjeti nuk furnizohet me ujë ndërsa vetë ndërmarrja nuk ka një reagim zyrtar për fenomenin që përsëritet veçanërisht gjatë verës.

Situata ka irrituar banorët deri në atë pikë sa këta të fundit shprehen se ishin shumë më mirë me ujësjellësin e vjetër dhe se 3 milionë dollarët e investuar për rrjetin e ri kanë shkuar dëm. Një banor i lagjes “Dardania” thotë për Neës 24 se para fillimit të punimeve kishte ujë të bollshëm në katet e pesta, tani s’ka fare, ndërsa një banor i lagjes “Partizani’ thotë se para dy javësh uji vinte i ndotur, ç’ka shkaktoi edhe helmimin e disa banorëve që përfunduan në spital.

Historia e ujësjellësit të ri të Tropojës nisi 4 vite më parë, kohë kur u iniciua projekti i cili do ti kushtonte buxhetit të shtetit, jo pak, por 363 milionë lekë, ose 3 milionë dollarë. Por kostoja e lartë nuk përmbushi asnjë herë pritshmëritë e banorëve të Bajram Currit, të cilët mallkojnë ditën e ndërtimit të ujësjellësit të ri.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: