TIRANË- 414 milion euro është dëmi që iu shkaktua shtetit shqiptar nga procesi i privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSHSH), kompanisë çeke CEZ, në vitin 2009. Kryetari i komisionit hetimor, Taulant Balla, paraqiti sot në Kuvend raportin përfundimtar në përfundim të punës hetimore njëvjeçare për këtë proces.

Raporti konstaton përgjegjës zyrtarë te lartë të asaj periudhe, kur vendi qeverisej nga Partia Demokratike, dhe që dyshohet se kanë kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrave të tyre, gjatë përgatitjes së zhvillimit të procedurave të tenderimit dhe negocimit për nënshkrimin e marrëveshjes së shitjes së 76% të aksioneve të OSSHE-së.

“I kërkojmë Kuvendit miratimin e raportit dhe dërgimin e tij tek Prokurori i Përgjithshëm për fillimin e çështjes penale në ngarkim të shtetasve, Sali Berisha, ish-kryeministër dhe deputet, për veprën penale te shpërdorimit të detyrës, shkelje të barazisë në tendera, ushtrim ndikimi të paligjshëm, etj, vepra qe janë parashikuar në Kodin Penal”, tha Balla.

Ndër zyrtarët përgjegjës për këtë proces privatizimi, tha ai, raporti konstaton: ish-ministrat Genc Ruli, Ridvan Bode, ish-zv/ministrin Florion Mima; ish-Avokaten e Shtetit, Ledina Mandia; ish-kryetarin e Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, si dhe anëtarët e grupit te negocimit të marrëveshje me kompaninë CEZ.

Gjithashtu, Balla kërkoi ndjekje penale dhe për shtetasin Nue Kalaj, i cili refuzoi te dëshmonte para komisionit hetimor, si dhe për shtetasin Shkëlzen Sali Berisha, i paraqitur katër herë dhe në asnjë rast nuk pranoi të dëshmojë.

Në këto kushte, komisioni vlerëson se Shkëlzen Berisha ka konsumuar elemente të veprës penale “refuzim për të dëshmuar” dhe i rekomandon prokurorisë fillimin e çështjes penale ndaj tij.

Në prezantimin e raportit, në fillim të seancës së sotme, kryetari Balla tha se nga gjetjet e komisionit rezulton se privatizimi i OSSH-së ka qenë i paracaktuar nga qeveria “Berisha”.
“Gara u hap publikisht më 13 maj 2008 ndërsa gjatë hetimeve të kryera, me prova dhe dëshmi, është provuar, se ky proces ka filluar rreth fundit të vitit 2005 dhe fillimit të 2006-s. Pra, ai nuk nisi në 2008-n, por përgatitjet për të ishin bërë më herët”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: