Nga: BUJAR NISHANI

GJERMANI- Presidenti i Republikës ishte në një vizitë në Gjermani, ku bëri takime të nivelit të lartë me homologun gjerman dhe kreun e Bundestagut “Deutsche Welle” i cili i mori një intervistë kreut të shtetit.

Zoti President, gjatë qëndrimit në Gjermani ju u takuat edhe me presidentin e Bundestagut, Norbert Lammert, e me krerë të lartë të politikës gjermane. A ka ndryshuar perceptimi për Shqipërinë problematike me grindje të vazhdueshme e mosgjetje konsensusi politik, a mund të paraqisnit ju sot një Shqipëri ndryshe?
Takimi me presidentin e Bundestagut, zotin Norbert Lammert, ishte një moment i veçantë kënaqësie; presidenti Lammert është një mik mjaft i afërt dhe i shquar i Shqipërisë. Unë paraqita dhe prezantova Shqipërinë reale, me të gjitha arritjet dhe sfidat që ka, sepse ne duhet të ndajmë me miqtë gjermanë posaçërisht sfidat që kemi përpara. Nga ana tjetër shpreha jo vetëm mirënjohjen, por edhe nevojën që ka shoqëria shqiptare për këtë inkurajim, këtë mbështetje, këtë asistencë nga Gjermania mike. Dhe gjeta jo vetëm miqësinë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, por edhe njohjen në detaje të realitetit shqiptar, mbi të gjitha preokupimin e tyre që Shqipëria të vazhdojë në rrugën e prosperitetit.

Përmendët asistencën e Gjermanisë gjatë viteve të tranzicionit; a mund të thoni nëse keni biseduar edhe për projekte konkrete bashkëpunimi në të ardhmen?
Gjermania është një nga partnerët kryesorë strategjikë të Shqipërisë e, natyrisht që, interesi ynë është që veçanërisht bashkëpunimin ekonomik ta zhvillojmë më ngushtë dhe intensivisht me Gjermaninë, sepse ka resurse dhe mundësi shumë të mëdha të pashfrytëzuara, veçanërisht në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare. Unë përmenda disa prej historive të suksesit gjerman, si ai në aeroportin e Rinasit, investimet në energji, por këto janë të pamjaftueshme për atë çka paraqet Gjermania si një rëndësi dhe partner strategjik i Shqipërisë. Ndaj fusha të tilla si ajo e energjisë, e mineraleve, e infrastrukturës, e agro-turizmit janë, pa dyshim, potenciale e përgjegjësi e Shqipërisë dhe institucioneve për të krijuar terrenin e përshtatshëm e maksimalisht mikpritës për investitorët gjermanë. Shqipëria është ekstremisht e interesuar për ta zhvilluar bashkëpunimin me Gjermaninë në të gjitha fushat.

Zgjedhjet vendore apo parlamentare kanë qenë faza të tensionuara, herë më pak e herë më shumë. Temperatura politike ngrihet lart, por këtë herë vihet re një fushatë normale, janë shtuar karriget e bisedat me elektoratin për paraqitjen e programeve. A mund të thuhet se kjo strategji e re po kthen përfundimisht në Shqipëri ndërrimin e pushtetit, edhe atë lokal, në një rotacion normal?
Unë gjithmonë e kam vlerësuar kur kandidatët e kanë përqendruar fushatën te paraqitja e platformave konkrete, se si ata do të punojnë për krijimin e shërbimeve reale ndaj qytetarit, duke marrë parasysh faktin që këto janë zgjedhje për administratën lokale. Një sfidë e madhe për të zgjedhurit nga këto votime do të jetë procesi i decentralizimit lokal, se sa parlamenti shqiptar do të delegojë kompetenca reale në zhvillimin dhe shfrytëzimin e aseteve ekonomike dhe financiare te të zgjedhurit lokalë për të ofruar shërbime të drejtpërdrejta e cilësore te qytetarët shqiptarë, çka është një proces që mbetet për t’u verifikuar pas zgjedhjeve, por pyetja juaj është e drejtë. Ne tashmë duhet të mendojmë se si t’i konsolidojmë standardet e realizimit të zgjedhjeve, që nga mënyra e bërjes së fushatës, te procesi i votimit, veçanërisht sfidë e madhe mbetet procesi i nxjerrjes së rezultateve të votimit – mënyra se si do të numërohet vota, e se si ajo do të pasqyrojë vullnetin real të qytetarëve shqiptarë. Unë e inkurajoj me gjithë zemër, do të jem mjaft i angazhuar dhe i interesuar për të parë se si do të jetë sjellja e infrastrukturës elektorale që, bazuar në kodin dhe procesin tonë, është i ofruar nga vetë partitë politike, ndaj edhe përgjegjësia shkon kryesisht te partitë politike.

Por historia e problemeve me listat e zgjedhësve ende nuk mbaron, edhe në këtë fushatë ka pasur disa shqetësime…
Do të dëshiroja shumë që vërejtjet paraprake të komisionit të OSBE-ODHIR-it që kanë paraqitur disa shqetësime për angazhimin e administratës publike për njërën apo tjetrën palë, tentativa për të krijuar lista me banorë të ardhur nga zona të tjera në interes të njërit apo tjetrit kandidat, jo vetëm të mbeten të izoluara, por edhe të hetohen e ndalohen, por sidomos të mos krijojnë precedentë për një situatë problematike postzgjedhore. Debat të fortë në Shqipëri ka ngjallur dekriminalizimi i parlamentit apo edhe i kandidatëve për zgjedhjet vendore; të bëhen bashkë në një togfjalësh, dekriminalizim e parlament, edhe kjo nuk mendohej. Si mendoni, si është zhvilluar deri më tani ky proces? Çdo shqiptar, edhe unë si kreu i shtetit, ndihemi jashtëzakonisht keq kur flasim për një aspekt të tillë. Por nga ana tjetër ky është një realitet. Nuk mund të them se sa është numri i tyre, por ka individë që janë identifikuar me veprimtari kriminale, pavarësisht mënyrës se si ata kanë depërtuar të bëhen pjesë e parlamentit; kjo kurrsesi nuk mund të vijojë të jetë e pranueshme në politikën tonë, jo vetëm në parlament, por edhe në çdo nivel të administratës publike. Jam shpresëplotë te marrëveshja e partive politike për ta realizuar atë në praktikë. Në fund të fundit, janë forcat politike ato që, siç kanë përgjegjësinë për depërtimin e këtyre individëve në politikë, kanë edhe përgjegjësinë e dekriminalizimit dhe largimit njëherë e përgjithmonë të këtyre individëve.

Ka muaj që ka një konsensus në Shqipëri – nga të paktët – se në drejtësi ka shumë korrupsion, se kështu nuk vazhdohet, por një strategji konkrete për reformën në drejtësi ende nuk shihet. Ku çalon reforma?
Unë e kam deklaruar dhe i mbetem qëndrimit se reforma në drejtësi jo vetëm është domosdoshmëri, jo vetëm është emergjencë, por është rrugë pa alternativë. Nuk ka alternativë tjetër Shqipëria përpos të realizojë një reformë reale, të gjerë e të thellë të sistemit të drejtësisë. Sot ka një problem që ndahet në dy aspekte, do ta shikoja unë: Së pari, në luftën e individëve të korruptuar brenda sistemit të drejtësisë, e cila është gjithashtu një emergjencë; tjetra ka të bëjë me mosngatërrimin e procesit të reformës me intervenimin dhe marrjen nën influencë politike të institucioneve të drejtësisë nga ana e politikës.

Kjo është sëmundje e vjetër, por, si mund të shpëtojë drejtësia nga presioni i politikës?
Absolutisht, kjo për mua është forma më e lartë e korrupsionit, dhe nëse një gjyqtar i korruptuar ka të gjitha mundësitë të vihet para drejtësisë, një gjyqtar i korruptuar politikisht është shumë i mbrojtur dhe ai kthehet në një aset negativ për shoqërinë në tërësi, sepse ai i shërben një politikani, një njeriu me pushtet, dhe kjo i shpërblehet duke e lejuar atë që t’u bjerë në qafë dhjetëra qindra qytetarëve në konfliktet e përditshme. Drejtësia mund të shpëtojë, por kjo kërkon një vullnet të qartë të politikës. Njerëzit që marrin mandate nga qytetarët për vendimmarrje duhet të kuptojnë se nuk ka pushtet të përjetshëm, nuk ka pushtet të përhershëm, se reforma në drejtësi nuk është për t’i shërbyer një njeriu apo grupe individësh të caktuar, por për t’u shërbyer Shqipërisë e shqiptarëve. Unë besoj se nuk mund të realizojmë një reformë në sistemin e drejtësisë me individë që kanë udhëhequr mekanizmin më represiv e më brutal të shtypjes së qytetarëve të Shqipërisë në kohën e diktaturës. Nuk mund ta realizojmë një proces e një reformë në drejtësi nga njerëz, të cilët kanë qenë emblema të korrupsionit në sistemin e drejtësisë për vite e vite me radhë. Kemi numër prokurorësh, gjyqtarësh, magjistratësh, brez i ri i formuar me tjetër kulturë profesionalizimi; ata duhet t’i inkurajojmë për të qenë në vijën e parë të ndërmarrjes së reformës.

Pas vizitës së kryeministrit Vuçiç në Tiranë, duket se Shqipëria dhe Serbia duan të lënë pas historinë dhe të jenë forca bashkëpunuese, promovuese të një kulture të re në rajon. A mund t’i shohim si dy minisuperfuqitë e reja të Ballkanit dhe sa mund të ndërtohet një bosht bashkëpunimi me Serbinë pa njohur ky vend Kosovën?
Nuk është e nevojshme t’i shohim Shqipërinë e Serbinë si minisuperfuqi të rajonit, mjafton që Shqipëria e Serbia të kontribuojnë për stabilitetin e paqen në rajonin e Ballkanit. Shembulli i Shqipërisë është më evidenti; ka qenë stabël dhe i pandryshueshëm në kuptimin e kontributeve në parimin e fqinjësisë së mirë, të respektit, bashkëpunimit e stabilitetit. Jam i bindur që klasa politike, gjenerata e re në Serbi ka filluar ta kuptojë se nuk ka alternativë tjetër përpos që edhe ata të shkojnë drejt kësaj politike të kontributit për bashkëpunim, stabilitet e për mirëkuptim dhe respekt reciprok. Natyrisht që, çështja e Kosovës është një çështje që nuk varet më nga dëshira dhe humori i politikanëve në Serbi, Kosova e pavarur është realitet. Serbia e ka pranuar ‘de facto’ pavarësinë për sa kohë Kosova është pranuar si anëtare me të drejta të plota e të gjitha iniciativave rajonale, si e barabartë në tryezën e kryetarëve të shteteve dhe qeverive. Ne e mirëpritëm vizitën e Vuçiç në Tiranë, dhe mbetemi të interesuar për përmirësimin real të jetës ekonomike e sociale të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Unë bisedova me kryeministrin Vuçiç dhe mora premtime serioze prej tij. Përfitoj nga rasti për të nënvizuar edhe kontributin e veçantë që Gjermania ka pasur, ka e duhet të ketë në stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Unë mendoj se realiteti i shanseve të mëdha që ka sot Ballkani është edhe falë angazhimit të fortë e të rëndësishëm të Gjermanisë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb