Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon mbërriti në Greqi për të inspektuar personalisht, në veçanti në ishullin e Lesbos-it, situatën e mijëra migrantëve të bllokuar në këtë vend që është një ndër portat hyrëse në Bashkimin Evropian.
Në Athinë, kryeministri grek, Alexis Tsipras i ofroi një dhuratë simbolike, një jelek shpëtimi të mbledhur ashtu si mijëra të tjerë në brigjet e Greqisë.
“Është një instrument mbijetese për mijra refugjatë që kanë mbërritur në ishujt grekë duke kaluar detin Egje”, deklaroi Cipras ndërsa i ofronte këtë objekt Ban Ki Moon-it.
Ban përshëndeti “solidaritetin dhe mikpritjen e jashtëzakonshme që Greqia ka dhënë ndaj njerëzve të dëshpëruar që i janë larguar luftës dhe persekutimit”.
“Pavarësisht vështirësive financiare, Greqia ka qenë bujare duke shpëtuar jetën e shumë refugjatëve”, tha Ban duke theksuar se komuniteti ndërkombëtar duhet ta mbështesë Athinën.
(d.d/BalkanWeb)
