Nga: ERMELINDA HOXHAJ*
TIRANE – Familjet e pastreha të cilave iu është miratuar banesa sociale, pritet që brenda 15 shtatorit të hyjnë në këto apartamente në Shkozë. Sipas bashkisë, lista me 242 familjet që përfitojnë do dërgohet për miratim te prefekti dhe më pas do vijojnë procedurat për lidhjen e kontratës së qirasë, e cila do jetë njëvjeçare, me të drejtë rinovimi. Po ashtu, këto familje duhet të drejtohen në Ndërmarrjen Nr.3 Tiranë, për dorëzimin e disa dokumenteve si dhe lidhjen e kontratës mes palëve. Sa u përket qirave të apartamenteve, ato ndryshojnë jo vetëm nga sipërfaqja e apartamenteve, por edhe nga niveli i të ardhurave të familjarëve, pasi disa familjeve që i kanë të ardhurat më të pakta, një pjesë të qirasë ua subvencionon Bashkia e Tiranës.
Dokumentet & afatet
Bashkia e Tiranës ka sqaruar hapat në të cilët do kalojë procesi i shpërndarjes përfundimtare të banesave sociale me qira. Sipas tyre, këto procedura mund të zgjatin 3-4 javë. “Pas miratimit në Këshill Bashkiak, lista e aplikuesve shkon për miratim te prefekti, i cili ka 10 ditë në dispozicion për ta miratuar. Më pas, Drejtoria e Menaxhimit të Strehimit, në bashkëpunim me Ndërmarrjen Nr.3 të bashkisë hartojnë planin e shpërndarjes së banesave sipas listës së miratuar, duke parashikuar hapësirat e miratuara për m2 dhe nevojat specifike që mund të kenë aplikuesit”, sqarojnë specialistët e Drejtorisë së Strehimit. Më tej, hapi tjetër është plotësimi i dokumentacionit të aplikuesve që kanë fituar dhe firmosja e kontratës me Ndërmarrjen Nr.3, si institucion i cili i ka banesat sociale në varësi. Sipas specialistëve, kontrata do jetë 1-vjeçare, me të drejtë rinovimi nëse familjes apo personit nuk i ndryshon niveli i të ardhurave. “Këto familje duhet të depozitojnë në Ndërmarrjen Nr.3 fotokopjen e kartës së identitetit (ID) dhe certifikatë familjare. Në të njëjtën kohë plotësohet autorizimi për dorëzimin e apartamentit, bashkë me inventarin e banesës, si dhe firmoset kontrata mes palëve. Kontrata ka afat 1-vjeçar, me të drejtë rinovimi në rast se aplikuesi nuk ka ndryshuar status, pra ndryshim i nivelit të të ardhurave. Dorëzimi përfundimtar i apartamentit ndodh pas kryerjes së këtyre procedurave. Mendohet se i gjithi ky proces zgjat nga 3 deri në 4 javë”, sqarojnë specialistët e bashkisë.
Qiratë mujore
Çdo muaj, 242 familjet e pastreha do t’i paguajnë bashkisë qiratë mujore për apartamentet që përfitojnë. Banesat sociale në Shkozë janë ndërtuar në partneritet me pushtetin qendror dhe me kredi të Bankës së Këshillit të Evropës (CEB), kredi e cila do të fillojë të shlyhet për një periudhë 20-vjeçare nga qiratë që do të paguajnë familjet e strehuara. Niveli i qirasë për garsonierat varion nga 3.920 lekë që është vlera minimale, në 7.840 lekë vlera maksimale. Për apartamentet 1+1 vlerat e qirave variojnë nga 6.790 lekë-13.580 lekë; për strukturat e apartamenteve 2+1, qiratë do të variojnë nga 7.840 lekë deri në 15.680 lekë. Ndërsa për apartamentet më të mëdha, me strukturë 3+1, niveli i qirasë është 9.310 lekë deri në 18.620 lekë. Niveli i qirave është i ndryshëm, për arsye se edhe të ardhurat e familjeve janë të ndryshme. Një prej kritereve të përcaktuara nga CEB ishte që, familjet që do përfitojnë, duhet të kenë 75% të të ardhurave mesatare. Por, duke qenë se shumë prej këtyre familjeve kanë më pak të ardhura dhe nuk përballojnë dot as qiratë sociale, bashkia nëpërmjet një vendimi të miratuar në Këshill në prill 2014, ka vendosur të ofrojë subvencionim, nëse niveli i qirasë është më shumë se 25% e të ardhurave neto të familjes.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb