Kanë nisur sot punimet për rikonstruksionin e rrugës Marinzë-Roskovec, një projekt i përbashkët i kompanisë naftënxjerrëse Bankers Petroleum Albania dhe Bashkisë Roskovec. Rruga është 2.6 km e gjatë dhe kosto totale e saj arrin në rreth 350 mijë dollarë.

Pjesa më e madhe e investimit për këtë rrugë do të mbulohet nga kompania Bankers, me një vlerë prej 200 mijë dollarësh. Bankers ka qenë gjithnjë e angazhuar për të investuar në projekte të rëndësishme për komunitetin ku operon. Kompania është prej mëse 16 vitesh në vend dhe e konsideron veten si pjesë e banorëve, por edhe fqinj i mirë për të gjithë ata.

“Unë jam i kënaqur që investojmë në ndërtimin e kësaj rruge sepse Bankers operon në këtë zonë, në Marinzës dhe ne e konsiderojmë veten fqinj. Këtë vit ne jemi ndikuar nga kriza globale si pasojë e pandemisë së koronavirusit, Bankers është ndikuar nga rënia e çmimeve të naftës, por megjithatë si fqinj i mirë, ne po bëjmë më të mirën që të përmirësojmë kushtet e jetesës së banorëve të zonës ku ne operojmë.”, tha Presidenti i Geo-Jade Petroleum, kompanisë mëmë të Bankers, Chen Huanlong.

Punimet për rrugën Marinzë-Roskovec pritet të përfundojnë brenda vitit të ardhshëm dhe do të mundësojë një akses shumë të mirë për banorët e disa fshatrave të kësaj zone.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb