Bankers Petroleum Albania, kompania më e madhe e prodhimit të naftës në vend, ka nisur trajtimin e mbetjeve hidrokarbure si pjesë e planit të saj ambicioz për mjedisin. CEO i Bankers thotë se do të investohen 7 milionë dollarë në trajtimin e mbetjeve të naftës këtë vit.

“Bankers është prodhuesi më i madh i naftës në Shqipëri. Në të njëjtën kohë ne gjithashtu fokusohemi për të mbrojtur mjedisin. Ne kemi investuar më shumë se 7 milionë dollarë. Një projekt i cili përmirëson jashtëzakonisht mjedisin”, tha Huanqin Xiao, CEO i Bankers.

Kompania po bashkëpunon tashmë me një nga prodhuesit më të mëdhenj të çimentos në vend, Antea Cement për trajtimin e mbetjeve hidrokarbure. Çdo ditë, kamionët e mbyllur hermetikisht dhe të certifikuar, transportojnë mbetjet në fabrikën e Antea-s.

Djegia e mbetjeve të rrezikshme në furrat e çimentos, konsiderohet një metodë e sigurt dhe më e mira e disponueshme. I gjithë ky proces siguron që të mos ketë ndotje dytësore dhe kjo ishte arsyeja kryesore e cila çoi në nisjen e bashkëpunimit të Bankers me Antea Cement. Por kompania nuk do ndalet me kaq.

“Ne do të ndërtojmë në fushën e Patos-Marinzës njësinë trajtuese të mbetjeve të naftës, çka përbën dhe risi për industrinë e naftës në vend. Ambicia jonë është të jemi miqësorë ndaj mjedisit dhe për këtë do vijojmë me këto investime të rëndësishme”, u shpreh CEO i Bankers.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb