Shtohen ndjeshëm shanset e Rey Manajt për të qëndruar tek ekipi i parë i Barcelonës. Pas dëmtimit të Kun Agueros, i cili do të mungojë për të paktën 10 javë, vijnë vështirësitë për federimin e sulmuesit tjetër kryesor të katalanasve, Memphis Depay.

Po të llogarisësh edhe largimin e Messit, te Barça janë minus tre sulmues. Ansu Fati ende nuk e ka marrë veten nga dëmtimi dhe gjitha pesha ofensive bie në vetëm dy lojtarë, Griezmann dhe Braithwaite.

Barcelona do të zbresë të dielën në orën 20:00 në fushën e Camp Nou kundër Sociedad dhe trajneri Koeman është i detyruar të grumbullojë edhe Rey Manajn. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare me siguri do të jetë në stol, por nuk është aspak çudi që ai të ketë minuta, ashtu siç ka ndodhur në ndeshjet miqësore.

Do të ishte historike, një shqiptar që luan ndeshje zyrtare me një gjigant si Barcelona. Gjithsesi, ende është e paqartë nëse Manaj do të jetë vetëm në këtë rast emergjence apo do të kalojë te Barcelona B e ndoshta për t’u shitur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb