SHKUP- Një barsoletë e publikuar në faqen e rrjetit social facebook e cila lë të kuptohet se shqiptarët kryejnë marrëdhënie incesti ka indinjuar intelektualët shqiptarë të cilët janë të vendosur  ta çojnë në gjykatë këtë çështje.

Një grup intelektualësh shqiptarë nga Kumanova kanë paralajmëruar ngritjen e padisë kundër një medie lokale, e cila në faqen e saj të Facebook-ut ka postuar një batutë fyese për shqiptarët. Barsoleta është publikuar në faqen e Facebook-ut të portalit www.kumanovskimuabeti.mk, njofton Zhurnal.

Intelektualët shqiptarë të indinjuar paralajmërojnë se krahas veprimeve ligjore do të informojnë edhe organizatat joqeveritare vendase dhe ndërkombëtare.
“Ky rast i hidhur dhe këto lojëra me ndjenjat e shqiptarëve të mos kalojnë pa u ndëshkuar, aq më pak kur dihet se bëhet fjalë për medium elektronik – portal i cili shfrytëzon para publike të qytetarëve dhe llogaritet si faktor medial në fushën e informimit”, citohet në letrën e intelektualëve shqiptarë.

“Paralelisht në proces të përgatitjes është edhe procedurë gjyqësore – padi private kundër personit përgjegjës dhe pronarit të këtij portali, sepse nuk është hera e parë që publikojnë përmbajtje të këtilla që prekin thellë në ndjenjat e një numri të madh të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, të përkatësisë shqiptare dhe rome, e njëherë paraqet rast që mund të ndikojë seriozisht në bashkëjetesën dhe tolerancën ndëretnike”, përfundon letra e intelektualëve.
Sipas dispozitave të reja ligjore që kanë hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2014, ndalohet dhe dënohet gjuha e urrejtjes në internet dhe në rrjetet sociale.
(a.h/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: