POGRADEC– Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është ndalur ditën e sotme në Pogradec për të zhvilluar një takim elektoral me banorët e këtij qyteti. Në fjalën e tij, Basha tha se më 21 qershor qytetarët do të ndëshkojnë me votë ata që i varfëruan, dhe i shtuan taksat e u rritën çmimet.

“Do të mbyllim kapitullin e një pushteti që bën sikur nuk ju sheh. Do të hapim dyert e një bashkie që dëgjon hallet e shqetësimet tuaja, e ofron zgjidhje për to. Shqiptarët fitojnë më pak, paguajnë më shumë. Taksat janë më të larta, edhe çmimet e faturat”, tha Basha.

Kreu i PD, tha se Ilir Meta po shantazhon banorët e Pogradecit për votën, ndërsa shton se LSI kërcënon kandidatin e kësaj force politike që të tërhiqet nga gara.

“Synojnë të kthejnë Pogradecin në një çiflig për Ilir Metën dhe LSI. Meta e çdo me kusht Pogradecin dhe nuk ka ndalur as para shantazheve e kërcënimeve, dhe së fundi kërcënoi kandidatin tonë, sepse nuk ka zgjidhje për problemet, dhe e di që nuk mund të fitojë. Ndaj do me çdo kusht të mos ketë garë edhe zgjedhje, pasi e di se po pati zgjedhje do të fitojë kandidati i PD. Dhe çfarë i thotë, ikë nga gara që ta marr unë afrofe. Kërcënuesit do të përgjigjen para ligjit, iu jap fjalën si kryetar i opozitës. Janë nën vëzhgimin e botës mbarë. Dita kur do japin llogari para drejtësisë do të vijë. Ju bëj thirrje të gjithë punonjësve të mos frikësohen, paniku që i ka kapur është nga frika e humbjes në Pogradec”, vijoi Basha.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb