TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi sot në mbrëmje nga selia e PD se po përgatitet arrestimi i kreut të Bashkisë Durrës Vangjush Dako por se kjo gjë nuk e shpëton dot kryeministrin Edi Rama nga përgjegjësia ligjore për vjedhjen e votave. Basha foli pas takimit me krerët e degëve të PD në Tiranë dhe tha se këto takime janë në kuadër të aksionit opozitar.

“Takimet në Partinë Demokratike janë intensive në funksion të aksionit opozitar. Por ajo që dua të ndaj me ju është një paralajmërim i qartë dhe i prerë për Edi Ramën. Asnjë përpjekje fasadë nuk do ta shpëtojë dot nga përgjegjësia politike dhe ligjore që ka. Ai është kapur duke vjedhur zgjedhje me bandat e krimit të organizuar. Orët e fundit janë intensifikuar informacionet se po përgatitet arrestimi i Vangjush Dakos. Do tua them qartë shqiptarëve që arrestimi i Vangjush Dakos duhet të kishte ndodhur që kur dosja 339 faktoi që ai bashkë me hierarkë të tjerë socialistë me emër dhe me mbiemër janë kapur në përgjime zyrtare të prokurorisë duke bashkëpunuar me krimin e organizuar për të tjetërsuar votën e qytetarëve të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë”, deklaroi kreu i PD.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për mos arrestimin e Dakos dhe tha se ai është urdhëruesi i krimit të gjithë krimeve.

“Mos arrestimi është bërë me urdhër të Edi Ramës. Për të mos arrestuar Vangjush Dakon Edi Rama madje flijoi edhe një nga benjaminët e tij, Fatmir Xhafën. Ndaj arrestimi i Vangjush Dakos absolutisht duhet të ndodhë një orë e më parë por nuk e shpëton urdhëruesin e krimit të gjithë krimeve, bashkëpunimit të hapur të sektit kriminal të Rilindjes me organizatat e narkotrafikut nga Avdylajt në Shijak tek Bajrat në Shkodër e Çelët e Sanxhaktarët në Elbasan e Shullazi me shokë në Tiranë e kudo që ndodhen. Nuk e shpëton dot Edi Ramën”, tha Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb