TIRANE– Këshilltarët e LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës kanë organizuar një bashkëbisedim me studentë të Universitetit Bujqësor dhe shoqërinë civile mbi projektbuxhetin për mjedisin dhe bujqësinë e Bashkisë Tiranë.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari, Dekani i Fakultetit të Veterinarisë, Universiteti i Bujqësor, Prof. Luigj Turmalaj, njëkohësisht edhe anëtar i Kryesisë së LSI, këshilltarët e tjerë Erisa Xhixho, Shezai Rrokaj, Elton Halimi, profesor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, përfaqësues të shoqërisë civile, fermerë të zonës së Tiranës, etj.

Gjatë bashkëbisedimit profesor Luigj Turmalaj propozoi ngritjen e një thertoreje publike në Tiranë, krijimin e një tregu për kafshët e shoqërimit si edhe përmirësimin e sigurisë ushqimore si një prioritet edhe në aspektin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Duke marrë fjalë gjatë këtij aktiviteti, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari tha se bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe me botën akademike mbetet një prioritet për Lëvizjen Socialiste për Integrim.

“Në emër të LSI-së ju garantojmë që bashkëpunimi jonë me shoqërinë civile do të jetë i vazhdueshëm, do të jetë i vazhdueshëm me universitetet, me profesorët, me studentë apo të rinj e të reja, qytetarë të Tiranës, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë preken nga interesi dhe vendimi që ne marrim në këshillin bashkiak të Tiranës. E vlerësojmë maksimalisht këtë bashkëbisedim me ju si një hapje pozitive në shërbim të qytetarit të Tiranës, sepse në fund të fundit ne jemi anëtarë të këshillit bashkiak të Tiranës dhe kemi marrë votën e qytetarëve të kryeqytetit. Dhe kush tjetër më mirë se ju, që jeni çdo ditë në komunikim me qytetarët e Tiranës, që jeni çdo ditë në bashkëbisedim me studentët në auditorët e universiteteve ku ju jepni mësim, që keni bërë studime dhe botim pa fund në shërbim të mjedisit apo dhe bujqësisë, mund të japë sugjerimet e duhura në shërbim të kryeqytetit dhe qytetarëve të Tiranës”, theksoi Braimllari, teksa vlerësoi si një element pozitiv të LSI-së hapjen drejt universiteteve.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së nënvizoi se është shumë e rëndësishme që të dëgjohet zëri i opinionit publik dhe botës akademike, ndërkohë që shtoi se LSI është një forcë politike e përgjegjshme që synon gjithmonë të sjellë stabilitet politik në vend.

“Unë do të vlerësoj maksimalisht dhe si një element tej mase pozitiv të LSI-së dhe këtë hapje drejt universiteteve. Ne do ta vazhdojmë këtë hapje dhe ju siguroj maksimalisht që, jo vetëm si anëtarë të këshillit bashkiak, por edhe brenda vendimmarrjes politike të LSI-së, zëri juaj, zëri i profesorëve, zëri i shkencëtarëve, do të jetë një zë i rëndësishëm edhe nëse ata nuk janë anëtarë të LSI-së. Jemi një forcë politike e hapur, e përgjegjshme, një forcë politike që tenton gjithmonë të sjellim stabilitet politik në vend nëpërmjet idesë që vjen nga profesorët e nderuar, nga universiteti, që vjen nga shoqëria civile, që vjen dhe nga qytetarët e Tiranës”, deklaroi ndër të tjera Endrit Braimllari, gjatë fjalës së tij.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb