Adela Kondakçiu, e cila ka marrë statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë në dosjen e kryebashkiakut të arrestuar Eron Veliaj, bëri mbrojtjen para GJKKO. Avokati tha se e mbrojtura prej tij ka pranuar të marrë pjesë në aktivitetin kriminal, por e shtyrë dhe e ndikuar nga urdhrat e Ajola Xoxës. “Jo vetëm që nuk ka përfituar, por është vënë në dispozicion të drejtësisë dhe ka patur kosto për transparencën e saj. Ka ndihmuar në zbardhjen e së vërtetës për organet e drejtësisë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, ish-polici i burgjeve, Fatjon Baçi, i cili i ka mundësuar Erion Veliajt përdorimin e një telefoni celular gjatë transportimit me furgonin e burgut, kërkoi një dënim më të butë nga Gjykata e Posaçme. Ky episod çoi edhe në shtimin e një akuze ndaj Veliajt për futjen ose përdorimin e sendeve të ndaluara në ambientet e paraburgimit. Baçi ka pranuar se i ka dhënë telefonin Veliajt, duke bërë një gabim njerëzor sipas tij, ndërsa ka theksuar se krybashkiaku kishte biseduar me bashkëshorten e tij dhe vëllanë.

“Fatjon Baçi ka bërë një gabim njerëzor përballë një njeriu si Erion Veliaj që gëzonte pushtetin që gëzonte. Veliaj ka biseduar me vëllain dhe gruan e tij dhe nuk ka bërë asnjë bisedë kriminale, përndryshe nuk do t’ia jepte celularin. Kërkoj që Gjykata të më japë një dënim më të lehtë duke marrë në konsideratë se nuk kam patur qëllim kriminal dhe duke marrë parasysh rrethanat familjare që jam i vetmi njeri i punësuar në shtëpinë time”, tha ai.

Më pas, dy mbrojtës kërkuan që të shtyhej seanca gjyqësore për të plotësuar konkluzionet përfundimtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb