Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kundërshtuar projektin për Reformën Administrativo-Territoriale, duke kërkuar që çdo ndryshim i hartës administrative të Shqipërisë t’i nënshtrohet një referendumi popullor.
Në një deklaratë për mediat, Blushi e cilësoi projektin e propozuar nga qeveria si një nismë që, sipas tij, synon centralizimin e pushtetit dhe dëmton komunitetet vendore.
Sipas tij, ndryshimi i hartës territoriale nuk është një reformë administrative, por një vendim që prek drejtpërdrejt identitetin, historinë dhe përfaqësimin e komuniteteve lokale.
Blushi argumentoi se reforma territoriale e vitit 2014 nuk arriti rezultatet e premtuara në drejtim të zhvillimit, investimeve dhe përmirësimit të shërbimeve publike, ndërsa shtoi se projekti i ri, sipas Partisë së Lirisë, do të çonte në një centralizim edhe më të madh të pushtetit.
Partia e Lirisë kërkon që çdo projekt për ndryshimin e kufijve administrativo-territorialë të miratohet vetëm pasi të jetë marrë mendimi i qytetarëve përmes referendumit.
Në mbështetje të këtij qëndrimi, Blushi iu referua nenit 108 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon se kufijtë administrativo-territorialë nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to. Ai përmendi gjithashtu edhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, e cila parashikon konsultimin paraprak të komuniteteve për ndryshimet territoriale.
DEKLARATA
Projekti antikombëtar, shpopullues dhe shkombëtarizues i Edi Ramës për zhdukjen nga harta administrative e Shqipërisë të edhe 15 bashkive të tjera nuk është reformë territoriale.
Është një akt agresioni politik ndaj komuniteteve, historisë dhe identitetit të vendit. Një atentat administrativ ndaj mijëra familjeve dhe vendbanimeve të tyre, të cilat dënohen me braktisje të qëllimshme nga shteti, pa shërbime, me kosto shumëfish më të larta për çdo nevojë elementare dhe të detyruara të përshkojnë dhjetëra kilometra për të marrë një dokument apo një shërbim bazë. Është aplikim i një politikë mizore që e kthen jetën e qytetarëve në një kalvar të përditshëm.
E gjithë kjo nuk bëhet për zhvillim, por për pushtet, vjedhje fondesh dhe pasurish publik dhe centralizim të këtij pushteti.
Edi Rama kërkon të përqendrojë çdo kompetencë, çdo fond dhe çdo vendimmarrje në duart e tij, të grabisë edhe qindarkën e fundit të komuniteteve vendore, çdo pasuri publike që u përket atyre dhe të përshpejtojë dëbimin e shqiptarëve nga vatrat e tyre shekullore.
Ky nuk është decentralizim, është asgjësim i Shqipërisë rurale dhe shndërrimi i vendit në një shtet të centralizuar, të zbrazur nga njerëzit dhe pa identitet.
Pas dështimit spektakolar të reformës territoriale të vitit 2014, që nuk solli as më shumë zhvillim, as më shumë investime, as më shumë shërbime për qytetarët, përkundrazi edhe me 61 bashki shumica e tyre përfunduan në prag falimenti sepse në vend të garantonin më shumë shërbime u shndërruan në agjenci punësimi për më shumë patronazhistë, Edi Rama rikthehet me të njëjtën recetë, por edhe më agresive, më pak bashki, më pak përfaqësim, më pak demokraci dhe më shumë kontroll politik e financiar.
Misioni i tij kriminal dhe antikombëtar është i qartë, ta kthejë Shqipërinë në një bashki të vetme, ku çdo vendim merret në zyrën e Kryeministrit dhe ku pushteti vendor shndërrohet në një degë të qeverisë, pa identitet, pa autonomi dhe pa zë.
Ky projekt nuk ka të bëjë me interesin publik. Ka të bëjë me centralizimin e financave, të vendimmarrjes dhe të kontrollit politik. Sa më pak bashki, aq më pak zëra të pavarur, aq më pak llogaridhënie dhe aq më e lehtë bëhet kapja e pushtetit lokal.
Shqipëria nuk ka nevojë për më pak pushtet vendor. Përkundrazi. Vendet më të zhvilluara të Europës e afrojnë administratën pranë qytetarit, nuk e largojnë atë.
Sllovenia me rreth 2.1 milion banorë ka 212 bashki. Italia ka rreth 8 mijë njësi vendore. Franca mbi 34 mijë. Gjermania rreth 11 mijë. Demokracitë europiane e forcojnë përfaqësimin lokal, sepse e dinë se demokracia fillon nga komuniteti.
Vetëm Edi Rama kërkon të ecë në drejtimin e kundërt, duke u marrë qytetarëve të drejtën për të vendosur mbi fatin e komuniteteve të tyre.
Vetë termi shkrirje është njabitrar dhe diktatorial.
Shuarja e njësive të vetëqeverisjes vendore pa konsultimin e komuniteteve të prekura cenon Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe parimin e autonomisë vendore dhe të drejtën e qytetarëve për t’u dëgjuar në ndryshimet territoriale.
Më skandalozja është se askush nuk i ka pyetur shqiptarët dhe madje as socialistët vetë, që të prerë në besë nga Edi Rama po djegin masivisht teserat e Partisë Socialiste.
Të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve politike, po bashkohen kundër këtij projekti, sepse askush nuk mund të pranojë që harta administrative e Shqipërisë të copëtohet me një urdhër politik dhe të vuloset me votat mekanike të një shumice kartonësh në Kuvend.
Ky nuk është një vendim i zakonshëm administrativ. Është një vendim që prek drejtpërdrejt jetën, familjet, identitetin, historinë dhe të ardhmen e çdo komuniteti shqiptar. Prandaj, fjalën e fundit duhet ta ketë vetëm sovrani.
Partia e Lirisë, në kushtet kur qytetarët as janë pyetur dhe as janë dëgjuar në lidhje me ndarjen e re administrative të vendit, kërkon që çdo projekt për ndryshimin e hartës territoriale të Shqipërisë t’i nënshtrohet referendumit popullor.
Vetëm qytetarët kanë të drejtë të vendosin nëse duan të jetojnë në komunitete që qeverisin dhe përfaqësojnë vetveten, apo në një shtet të centralizuar që nuk ju ofron as shërbimet më bazike.
Neni 108, pika 2 e Kushtetutës sanksionon qartë se kufijtë administrativë-territorialë “nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to”.
Po kështu, neni 5 i Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore përcakton se: “Për çdo ndryshim të kufijve territorialë vendorë, bashkësive vendore përkatëse duhet t’u merret mendimi paraprakisht, po qe nevoja, me anë referendumi, aty ku e lejon ligji.”
Edi Rama nuk ka marrë kurrë mandat për të fshirë nga harta e Shqipërisë bashki, qytete, histori, identitete dhe komunitete të tëra me një firmë. Shqipëria nuk është prona e tij, nuk është eksperimenti i tij politik dhe as plaçkë që mund ta copëtojë sipas interesave elektorale.
Ky projekt antikombëtar dhe shpopullues duhet të ndalet me çdo mjet demokratik, sepse ai bie ndesh jo vetëm me frymën e decentralizimit dhe të autonomisë vendore të garantuar nga Kushtetuta, por edhe me të drejtën themelore të qytetarëve për t’u dëgjuar për fatin e komuniteteve ku jetojnë. As 83 kartonët e bindur të Edi Ramës në Kuvend nuk mund ta zëvendësojnë vullnetin e popullit.
Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit. Ky është parimi themelor i sanksionuar në nenin 2 të Kushtetutës. Prandaj, askush nuk ka të drejtë të zhdukë bashki, të fshijë identitete dhe të rishkruajë hartën e Shqipërisë pa pyetur qytetarët. Mbi çdo shumicë parlamentare qëndron sovrani. Dhe sovrani duhet të flasë përmes referendumit.
Shqipëria u përket shqiptarëve dhe vetëm ata kanë të drejtë të vendosin për kufijtë, komunitetet dhe të ardhmen e tyre.
