TIRANË

Në “Real Story” në News24 ka ardhur sot dhe reagimi i kreut të Lëvizjes Besa, një tjetër parti shqiptare në Maqedoninë e Veriut, e përfolur për lidhje me partinë e Presidentit turk Erdogan.

Bilal Kasami, drejtuesi i Lëvizjes Besa do të jetë gjithashtu dhe kryetari i Komunës së Tetovës, pas fitores në raundin e dytë ditën e djeshme në zgjedhjet lokale, komunës të cilën e drejtonte BDI e Ali Ahmetit.

Duke komentuar deklaratat e zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut nga radhët e BDI, Bujar Osmani që foli për fitoren e kësaj partie, Kasami tha se është njësoj si të thuash që ke humbur Tiranën, por ke fituar Peqinin.

“BDI është ‘e fortë’ tani sepse në rrethanat e Shqipërisë ka humbur Tiranën dhe ka fituar Peqinin. Dhe në këshillin komunal kemi siguruar shumicë. Me gjithë partitë e tjera dhe me një listë të kandidatëve të pavarur ne kemi shumicën e nevojshme që të udhëheqim dhe këshillin komunal”, tha ai.

Sa i përket aleancave të mundshme, ai tha se Lëvizja Besa është një parti puro shqiptare me orientim perëndimor.
“Zotit Osmani i vjen keq sepse në Tetovë nuk arriti të kishte përkrahjen e VMRO siç janë mësuar dhe më pas të akuzojnë të gjithë partitë e tjera për bashkëpunim me VMRO. Gjithashtu janë mësuar të udhëheqin me LSDM. Deri në mandatin e kaluar kemi qenë në opozitë në këshillin komunal, ndërsa në qeveri jemi bashkë për integrimin e vendit.
Edhe përkundër akuzave të pabaza që janë bërë ndaj lëvizjes Besa, Lëvizja Besa është një parti puro shqiptare dhe do angazhohet për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe as nuk diskutohet orientimi perëndimor.
Sigurisht zoti Zaev duhet të sqarohet për këtë deklaratë, por dua të them që përkundër akuzave ndaj Lëvizjes Besa, asnjëherë nuk kanë qenë të argumentuara”, tha ai.

Sa i përket qeverisë, ai vijoi akuzat ndaj BDI-së duke e cilësuar madje si bllokuese të integrimit.
“Maqedonia e Veriut nuk mund të jetë një ishull i izoluar, patjetër që duhet të ketë bashkëpunim me partnerët perëndimore. VMRO fitoi dhe në 2016 dhe ishin shumë afër për të lidhur një koalicion me BDI-në, por intervenimi brutal i një faktori ndërkombëtar e bllokoi. Për 10 vite VMRO dhe BDI bllokuan integrimin. Koalicioni në 2017 i Lëvizjes Besa me LSDM bëri që të merrnim 2 mandate më shumë dhe të formonin qeverinë.
Përderisa kjo qeveri vazhdon rrugëtimin për integrimin ne do ta mbështesim, për ne integrimi në BE është prioritet mbi prioritet. Jemi të gatshëm të kalojmë të gjitha dallimet e thella me BDI dhe i vetmi faktor që na mban në këtë qeverisje është integrimi në BE”, deklaroi Kasami.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb