Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, të shmangë deklaratat që nuk ndihmojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, duke theksuar se dialogu mbetet e vetmja rrugë drejt përparimit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi deklaratat e fundit të Vuçiç për Kosovën, një zëdhënës i Komisionit Evropian deklaroi se vetëm përmes dialogut mund të arrihet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Duhet të shmangen deklaratat dhe veprimet që nuk kontribuojnë në këtë objektiv. Përparimi në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”, u shpreh zëdhënësi i BE-së.
Reagimi i Brukselit vjen pas deklaratave të bëra nga Vuçiç më 25 korrik, gjatë ceremonisë së promovimit të oficerëve të rinj të Ushtrisë së Serbisë, ku ai theksoi se mbrojtja e integritetit territorial dhe ruajtja e neutralitetit ushtarak janë ndër prioritetet kryesore të shtetit serb.
Presidenti serb përsëriti qëndrimin zyrtar të Beogradit se Kosova është pjesë e Serbisë, duke iu referuar Kushtetutës së vendit. Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që prej vitit 2011, mbetet një kusht kyç për avancimin e të dyja vendeve në procesin e integrimit evropian, megjithëse shumë nga marrëveshjet e arritura ende nuk janë zbatuar plotësisht.
