NGA: ENIDA HIMAJ* Dhoma 609″ është kën ga me të cilën Beatrix ka ardhur në këtë “Top Fest”. E nëse mendoni se e keni parë provokuese gjatë festivalit, këngëtarja premton se nuk keni parë asgjë ende. Teksa pak ditë na ndajnë nga finalja, ajo paralajmëron një performancë të nxehtë, ku së bashku me balerinat do të reklamojë të pasmet, si dhe fton në këtë kërcim sensual edhe publikun në skenë. Nuk u trembet padrejtësive në këtë edicion, duke u shprehur se ka besim te publiku si dhe te kënga e saj. Beatrix Ramosaj rrëfen se po punon shumë dhe shpreson që të dalë me trofeun e madh nga ky “Top Fest”.

Të dielën është dhe finalja e “Top Fest”-it, si po e prisni natën e madhe?
Me shumë emocion faktikisht. Jam shumë e lumtur që kam arritur deri këtu. Publiku e ka mirëpritur këngën dhe është familjarizuar tashmë me të. Më vjen mirë që “Dhoma 609” është shndërruar në një hit.

Cilat janë pritshmëritë e tua për finalen e ditës së diel?
Normalisht që pres të rrëmbej sa më shumë çmime. E kam tashmë me vete të gjithë publikun, ndaj dhe gjithçka që më duhet është trofeu. Mendoj se kam bërë një punë të mirë me produksionin tim, kënga është pëlqyer, performanca gjithashtu, është një rrymë muzikore që i përshtatet edhe vetë festivalit, ndaj dhe gjithçka që pres është sa më shumë çmime në natën finale.

A e prisni çmimin e madh?
Po punoj shumë fort për këtë gjë. Performanca, “look”-u im, gjithçka do të jetë e përsosur. Normal që e kam menduar edhe çmimin e parë dhe shpresoj shumë që të jem unë ajo që do ta fitojë këtë “Top Fest”. Gjithçka është në dorë të publikut, por, ashtu siç e thashë, po punoj shumë fort që kjo të bëhet realitet.

A të kanë mbështetur kolegët apo ke ndjerë xhelozinë e tyre?
Më kanë mbështetur dhe më duhet t’i falënderoj për këtë. E kanë pëlqyer këngën time dhe kur ky vlerësim bëhet nga profesionistët është dyfish kënaqësi për mua. Nuk kam hasur në xhelozi, pasi unë jam mes profesionistëve dhe të tilla gjëra nuk ekzistojnë.

Para disa vitesh edhe Albëria, tezja juaj mori pjesë në “Top Fest” me një këngë që u mendua si fituesja, por u zhgënjye; a mendoni se do t’ju ndodhë diçka e tillë edhe juve?
Për momentin jam në një fazë shumë pozitive dhe nuk po mendoj për padrejtësitë. Kam besim te gjykimi i publikut, gjithashtu mendoj se kënga e ka marrë tashmë çmimin nga fansat e mi. Për mua e rëndësishme është të dalë ajo që unë kam punuar shumë dhe që publiku e pret prej meje.

Shumë sensuale ke ardhur gjatë prezantimit të këngës, çfarë ke përgatitur për finale?
Në finale do të sjell diçka që nuk është provuar më parë në skenat shqiptare. Në të gjitha kuptimet do të jetë një risi që do t’i lërë të gjithë me gojë hapur. Kjo do të thotë që do të vini provokuese? Po, do të ketë diçka shumë hot, bashkë me trupën e baletit, dhe mbyllja e këngës do të kulmojë me një bombë të vërtetë. E gjitha kjo bëhet në përputhje me këngën time, e cila është vetë një këngë shumë sensuale. U përfole shumë për fustanin me të çarën e theksuar gjatë prezantimit të këngës, po kësaj radhe çfarë do të ekspozosh, do të zhvishesh? Kësaj radhe performanca do të jetë sensuale dhe shumë provokuese. Së bashku me balerinat kemi menduar që të bëjmë diçka ndryshe. Do të ekspozojmë të pasmet, jo vetëm unë dhe trupa e baletit. Besoj se pjesë e kësaj do të bëhet edhe publiku në sallë.

A mendoni se kjo do të mirëpritet nga publiku në skenë dhe nga teleshikuesit?
Mendoj që po. Siç e thashë edhe pak më parë, kam menduar që i gjithë publiku të bëhet pjesë e skenografisë sime. Do të mirëpritet, pasi është një risi për skenat shqiptare.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: