Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, i ka përcjellë Albin Kurtit urimet për mandatin e ri në krye të qeverisë së Kosovës, duke shprehur njëkohësisht interesin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në letrën drejtuar Kurtit, kreu i qeverisë belge vlerëson zhvillimin e kontakteve mes institucioneve të të dyja vendeve gjatë viteve të fundit. Ai përmend takimin me kryeministrin e Kosovës në New York, në shtator të vitit të kaluar, si dhe vizitën në Prishtinë, në prill të këtij viti, të ministrit belg të Punëve të Jashtme, Prévot.
De Wever nënvizon se këto takime dhe shkëmbime dëshmojnë marrëdhëniet e mira mes Belgjikës dhe Kosovës, ndërsa thekson rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Një ndër prioritetet e përmendura në letër është lufta kundër krimit të organizuar. Kryeministri belg vlerëson bashkëpunimin ekzistues në fushën e policisë dhe drejtësisë, duke e cilësuar këtë çështje si një shqetësim të rëndësishëm për të dyja vendet.
Ai shpreh gjithashtu gatishmërinë për ta shtrirë bashkëpunimin edhe në sektorë të tjerë, veçanërisht në mbrojtje dhe në sistemin e burgjeve.
Në letrën e tij, De Wever veçon edhe mundësitë për forcimin e marrëdhënieve ekonomike, duke vënë theksin te lidhjet e krijuara mes dy vendeve përmes diasporës, të cilat mund të shërbejnë si bazë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
