ELBASAN- Gjatë ditëve të fundit të paktën 50 kuital peshk kanë ngordhur në një nga liqenet më të mëdhenj të zonës së Dumresë. Ngordhja masive e peshqve në liqenin “Gjoli i gjatë” ka ndodhur për shkak të ndotjes së madhe që një fabrikë e prodhimit të vajit të ullirit ka shkaktuar në këtë liqen. Fabrika, e cila disponon një licencë mjedisore, ndodhet pranë “Gjolit të gjatë” dhe të gjitha mbetjet i ka derdhur në këtë Liqen.

Situata paraqitet katastrofike, uji është krejtësisht i zi, ndërsa era e rëndë e bën të vështirë jetesën për banorët e shtëpive pranë. Peshkatarët të cilët prej vitesh shfrytëzojnë këto liqene thonë se një situatë e tillë nuk është parë kurrë, ndërkohë që sipas specialistëve një ndotje e tillë do disa vite të zhduket.

Sipas peshkatarëve në të njëjtën gjendje paraqitet edhe një tjetër liqen në zonën e Belshit, i ndotur sërish nga një fabrikë për prodhimin e vajit të ullirit. Edhe pse peshkatarët janë drejtuar në të gjitha institucionet, asnjë masë nuk është marrë deri tani ndaj këtyre ndotësve.

Ndërkaq bashkia e Belshit i është drejtuar me disa shkresa zyrtare Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë Rajonale të Mjedisit Elbasan ku i kërkon marrjen e masave ndaj të gjitha kompanive dhe rishqyrtimin e licencave të tyre mjedisore.

(m.k/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: